Sport

Kosova i nis përgatitjet me 11 lojtarë

Vetëm njëmbëdhjetë lojtarë ishin të pranishëm në stërvitjen e parë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, që ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e para kualifikuese të “Euro 2024”. Një pjesë e lojtarëve kanë qëndruar në hotel, ndërsa disa të tjerë do të bashkohen më vonë në grumbullim për ciklin e ri kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Kosova të hënën pasdite në kampin nacional në Hajvali zhvilloi stërvitjen e parë për dy ndeshjet e këtij muaji. Ndeshjen e parë “Dardanët” do ta zhvillojnë në Tel- Aviv të Izraelit të shtunën, kurse të dytën më 28 mars në Prishtinë ndaj Andorrës.

Ndër lojtarët e ekipit bazë të Kosovës, në stërvitjen e parë munguan portieri Arijanet Muriq, kapiteni Amir Rrahmani, mbrojtësi Mërgim Vojvoda e sulmuesi Vedat Muriqi. Në fakt, disa lojtarë mungojnë shkaku i ndeshjeve që i kanë pasur në fundjavë me klubet e tyre, ndërsa një pjesë shkaku i udhëtimit nga vendet e ndryshme të Evropës.

Mesfushori Valon Berisha i kthyer në ekip udhëton nga Australia, ku është pjesë e ekipit Melbourne City. Pas një kohe është kthyer edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, që po ashtu nuk ishte në stërvitjen e parë. Në stërvitje kanë qenë të pranishëm lojtarët që nuk kanë pasur minutazhë në klubet e tyre apo që nuk kanë pasur ndeshje të dielën.

Por edhe ata që ishin të pranishëm patën një stërvitje të lehtë nën urdhrat e selektorit Alain Giresse. Ajo që ra në sy ishte uniforma e re për stërvitje e Kosovës. Kosova, në fakt, do të paraqitet me fanella të reja në ciklin kualifikues për “Euro 2024”. Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, i ndau lojtarët në dy grupe.

Një grup bëri vrapim të lehtë përreth fushës, ndërsa pjesa tjetër punonte në mënyra të ndryshme, por pa ndonjë ngarkesë. Portieri Samir Ujkani punoi i vetëm në fillim të stërvitjes, ndonëse i pranishëm ishte edhe Visar Bekaj. Sulmuesi i krahut, Elbasan Rashani, për shkak të lëndimit nuk do të grumbullohet për këto dy ndeshje, derisa në vend të Uran Bislimit, që ka refuzuar të jetë pjesë e Kosovës, është ftuar Blendi Idrizi.

Ndërkohë, në dyshim mbetet edhe Arbnor Muja që ka një shqetësim. Për herë të parë në Përfaqësuese është ftuar edhe sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani. Rrahmani këtë sezon ka treguar një formë të lartë, pasi ka shënuar 14 gola në 23 ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës.

Kosova është pjesë e grupit I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë, Rumaninë dhe Andorrën. Kosova synon kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Giresse.