Sport

Giresse për KOHËN: Duhet të ndërtojmë mbi bazën që e vendosëm në ndeshjet e marsit

Francezi me përvojë, Alain Giresse, më 23 shkurt u zyrtarizua në postin e përzgjedhësit të Kosovës në futboll. Debutoi menjëherë në muajin mars dhe atë me shumë sukses. Kosova më 24 mars fitoi 5:0 ndaj Burkina Fasos, përfaqësueses cilësore nga Afrika. Më shumë se ajo fitore u vlerësua barazimi 1:1 me Zvicrën, më 29 mars në Zuerich.

Në një intervistë për KOHËN, Giresse ka pranuar se ato dy ndeshje i kanë shërbyer shumë Kosovës. Thotë se lojtarët kanë fituar vetëbesim. Dhe mbi bazën që përfaqësuesja ka vënë në muajin mars, duhet të ndërtohet tutje, duke nisur që nga ndeshjet e ardhshme.

Qershori do të jetë shumë i ngarkuar për Kosovën. “Dardanët” nisin kampanjën e re në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Kosova garon në Ligën C, që është niveli i tretë. Më 2 qershor luan në Larnaca ndaj Qipros. Më 5 qershor e pret Greqinë, ndërsa më 9 qershor e pret Irlandën e Veriut. Ndeshje tjetër në udhëtim ka më 12 qershor. Takohet me Greqinë.

Image

Giresse është shumë gjatë në futboll dhe e di shumë mirë se në qershor nuk është e lehtë të motivohen lojtarët. Motivimi është sfidë në fund të një edicioni të gjatë e shumë të ngarkuar. Shumë prej lojtarëve më me dëshirë mendojnë për pushimet se për ndeshjet me përfaqësuese.

“Ndeshjet e muajit mars kanë mundësuar që të gjithë lojtarët e ftuar të fitojnë rastin të dëshmohen. Rezultatet pozitive ndaj Burkina Fasos dhe ndaj Zvicrës u kanë dhënë lojtarëve vetëbesim. Të gjithë në skuadër kanë arritur atë që pritet nga reprezentuesit, që janë të përkushtuar dhe të motivuar nga paraqitjet në ekipet nacionale. Pra, është pozitive dhe duhet të ndërtojmë në këtë, që të jemi në gjendje të vazhdojmë progresin. Ato dy ndeshje për mua janë një bazë e mirë”, ka thënë Giresse.

Ai së shpejti pritet ta publikojë listën për ndeshjet e qershorit. Shumë prej lojtarëve të Kosovës janë në fund të një edicioni të suksesshëm. Numri i atyre që kanë kaluar e po kalojnë formë të lartë është dukshëm më i madh se i atyre që kanë pasur edicion të vështirë.

Giresse natyrisht përcjell të gjithë lojtarët që i sheh kandidatë për vend në përfaqësuese.

“Lojtarët dhe klubet e tyre kanë pasur rezultate të ndryshme. Disa kishin rezultate të mira, fituan trofe. Disa kanë pasur më shumë vështirësi me ekipet pasi rezultatet kanë munguar. Ne do të marrim të gjitha këto në konsideratë. Në fillim të rigrupimit do të bëjmë planin e stërvitjeve duke u bazuar në ecurinë dhe gjendjen e lojtarëve. Ne i përcjellim ata çdo fundjavë. Unë i përcjell çdo ditë dhe e di gjendjen e formës së tyre”, ka thënë Giresse.

Tekniku francez informata të rëndësishme merr nga trajnerët e skuadrave ku luajnë lojtarët e Kosovës.

“Jam në kontakt me trajnerët e klubeve të tyre që gjithashtu më japin informata për gjendjen fizike, por edhe për gjendjen morale të lojtarëve të tyre. Monitorimi dhe përcjellja na mundësojnë që të dimë se ku janë me formë kur të grumbullohen me ekipin nacional”.

Giresse ka treguar se baza e ekipit do të jetë e njëjtë me atë që ishte në ndeshjet e marsit. Në lojtarët e grumbulluar në mars, Giresse do të llogaritë edhe për katër ndeshjet e qershorit. Ai e ka lënë të hapur mundësinë që të ketë emra të rinj, të tillë që nuk kanë qenë më herët në përfaqësuese. Ka thënë se është në fazën finale të selektimit.

“Do t’i studioj të gjitha me stafin, kështu që kur të vijë koha të kemi 23 lojtarë të selektuar për të marrë pjesë në këto katër ndeshje”, thotë Giresse.

Ai ka fituar besimin e tifozëve me paraqitjen që kishte Kosova në dy ndeshjet e marsit. Shpresat janë të mëdha që Kosova të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në qershor. Kundërshtarët nuk vlerësohen të nivelit më të lartë se “Dardanët”.

“Të luhet në qershor asnjëherë nuk është e lehtë. Kosova, si të gjitha vendet evropiane, do të përballet me këtë situatë. Lojtarët, që normalisht do të duhej të ishin në pushim, do të luajnë ndeshje me përfaqësuese. Kështu që ne duhet të llogarisim në këtë, duhet të dimë si t’i përgatisim, si t’i rimotivojmë për garë, t’i rimotivojmë për të luajtur me ekip nacional. Është shumë e ndjeshme si periudhë. Duhet të menaxhohet me shumë kujdes në raport me lojtarët, në mënyrë që ata të jenë të përkushtuar maksimalisht për të luajtur me përfaqësuese”, ka pranuar Giresse sfidën e ndeshjeve të qershorit.

Giresse, 69-vjeçar, ka drejtuar përfaqësuese si Gjeorgjia, Gaboni, Mali, Senegali e Tunizia. Ka udhëhequr edhe skuadrat franceze, Toulouse dhe PSG. Ka udhëhequr edhe skuadrën marokene FAR Rabat. Si lojtar, 16 vjet ishte pjesë e Bordeauxit. Dy vjet luajti për Marseillen. Për Francën i ka luajtur 47 ndeshje.

Tani ka për detyrë që ta kthejë përfaqësuesen e Kosovës në rrugën e duhur, pas stagnimit në ndeshjet e kaluara. Ai erdhi në vend të zviceranit, Bernard Challandes, që ishte vlerësuar lart në fillim, por gradualisht e humbi përkrahjen, në mungesë të rezultateve.

“Katër ndeshjet e qershorit janë të rëndësishme pasi bëhet fjalë për ndeshje zyrtare, kualifikuese për Ligën e Kombeve. Së pari duhet t’i përgatisim të gjithë lojtarët pas një edicioni të gjatë dhe më pas të kemi ambicie dhe objektiva për rezultatet më të mira. Pra, që të marrim pikë. Kur bëhet fjalë për garë, aty janë rezultatet dhe janë pikët për t’i fituar. Në çdo ndeshje, çdo herë ka të bëjë me marrjen e sa më shumë pikëve të mundshme, duke u bazuar në rrethanat dhe ecurinë e lojës”, ka thënë Giresse.

Synimi i tij është që me Qipron të startohet me fitore.

“Është gjithnjë me rëndësi të fillohet një kampanjë mirë. Kur ka ndeshje rresht, si në këtë rast, është me rëndësi të fillohet me sukses. Pra, synojmë suksesin në Qipro, për të vazhduar më pas në dy ndeshjet në shtëpi dhe për të përfunduar me ndeshjen tjetër në udhëtim”, ka theksuar Giresse.

Forma e mirë që kanë kaluar një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve ka trimëruar tifozët e shumtë të Kosovës. Natyrisht ka nxitur edhe Giressen që të ketë ambicie më të mëdha për ndeshjet e qershorit.