Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se Burkina Faso është një kundërshtar ideal për ekipin e tij. Ai ka thënë se pret që ndaj Burkina Fasos, Kosova të luajë lojën e saj kurse vetëm pas stërvitjes së fundit, do ta ketë idenë se si do t’i qaset kundërshtarit.
Kosova dhe Burkina Faso, do të përballet të enjten nga ora 18:00 në duelin që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Nuk ka partner ideal për të luajtur, qëllimi ynë është që t’i përshtatemi lojës së secilit ekip. Çdo ekip e ka mënyrën e lojës së vet, sikurse Burkina Faso. Që do të thotë se ne nuk e zgjedhim kundërshtarin, por i përshtatemi. Dhe, varësisht nga kundërshtari ynë ne duhet të luajmë lojën tonë dhe t’i përshtatemi asaj”, ka thënë Giresse.
“Qysh e kemi thënë më herët, qëllimi i këtyre dy ndeshjeve është përfshirja e të gjithë lojtarëve në ekip. Dhe para ndeshjes së nesërme, do të shihni se si do të duket formacioni për ndeshjen me Burkina Fason. Stërvitja e fundit para ndeshjes së nesërme, do të na jap idetë e fundit se si do të shfaqemi ndaj Burkina Fasos”.
Sipas tij, entuziazmi te futbollistët është shumë i madh dhe kjo është shumë e rëndësishme.
“Jemi pothuajse të gjithë lojtarët në stërvitje, po them të gjithë sepse i presim edhe disa të tjerë të na bashkuar. Çka kam mësuar më së shumti është entuziazmi, dëshira dhe vullneti për të luajtur dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kam arritur të vërtetoj se ajo që kam parë në video, teknika e lojtarëve është edhe në realitet. Këto janë disa nga elementet që i kam vlerësuar, por ka edhe pika që mund të përmirësohemi, të jemi më të mirë dhe më efikas. Mbetet punë për t’u bërë, sidomos në rastet kur e kemi posedimin e topit, por edhe puna pa top”, është shprehur Giresse.
“Një ndër arsyet që ka ndikuar që Sahiti të zëvendësohet nga Dellova është edhe koha e limituar për të gjetur një tjetër që ndoshta do të ishte më i miri dhe i duhur. Mbi të gjitha, që në fazën ofensive kemi lojtarë të mjaftueshëm, kemi dashur po ashtu ta shfrytëzojmë mundësinë për t’ia dhënë një lojtari të ligës së Kosovës”.