Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Giresse: Synimi ynë, ta nisim mbarë Ligën e Kombeve

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, me vështirësi lidhte fjalën në gjuhën angleze të mërkurën në konferencë për media në prag të ndeshjes kundër Qipros. Por mesazhi i tij u kuptua qartë. Francezi ka kërkuar nga futbollistët e Kosovës të japin maksimumin për ta fituar takimin e parë të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” të enjten do të përballen në Larnaca kundër Qipros. Ndeshja nis në orën 18:00 dhe i takon Grupit 2 të Ligës C. Pjesë e këtij grupi janë edhe Greqia e Irlanda e Veriut.

Giresse ka thënë se synimi i Kosovës është të vazhdojë me ndeshje të mira. Giresse me Kosovën debutoi në mars, në dy miqësoret kundër Burkina Fasos (5:0) në Prishtinë dhe kundër Zvicrës (1:1) në Zuerich.

“Do të jetë e rëndësishme për ne të marrim fitore. Por, po ashtu është me rëndësi që kjo fitore të arrihet me lojë të mirë. Synimi jonë është ta nisim mbarë garën e Ligës së Kombeve. Si lojtar nuk kam zhvilluar asnjë ndeshje në Qipro, por kam zhvilluar ndeshje në Francë, jo shumë të ndërlidhura me ndeshjen që do ta kemi nesër”, ka thënë Giresse.

Ai i është gëzuar formës së mirë që lojtarët kanë kaluar me klubet e tyre në sezonin 2021/2022.

“Forma e mirë është pikënisje për ciklin e ri. Të gjitha përfaqësueset jemi në nivelin e njëjtë. Për mua, ndeshjet e muajit mars kanë qenë të rëndësishme, pasi është dashur të rindërtojmë ekipin dhe t’ua përcjelli shpirtin dhe mentalitetin që unë dua ta kemi në fushë. Jemi në momentin e mirë dhe duam ta dëshmojmë këtë edhe në garën e Ligës së Kombeve".

Edhe Giresse kërkon fitore ndaj Andorrës Sport Giresse kërkon fitore ndaj Andorrës

Ai ka shtuar se janë analizuar pikat e forta dhe të dobëta të Qipros.

“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme të shohim se si luan Qipro, pastaj të ndërtojmë edhe lojën tonë. Kemi bërë një gjë të tillë, por ne nuk do të thotë se do të bëjmë ndryshime në mënyrën e lojës tonë. Secili lojtar do të jetë në pozicionin e vet. Në futboll janë dy situata. E para kur ke topin duhet të mundohesh ta mbash sa më gjatë në këmbë dhe të luash shpejtë për të dalë në fazën ofensive, ndërsa kur nuk e ke topin, të mbrohesh mirë, të rifitosh topin dhe sa më shpejtë të arrish të ndërtosh diçka”, ka deklaruar trajneri francez.