Boksieri kosovar Senad Gashi do të luftojë për titullin e përkohshëm të botës në kategorinë bridger në versionin WBC të shtunën mbrëma në Afrikë të Jugut.
Gashi 33-vjeçar përballë do ta ketë boksierin jugafrikan Kevin Lerena.
“Unë mendoj për titullin. Është meç për titullin e botës në versionin WBC. Është diçka e madhe, asnjë gjermano-shqiptar nuk ka boksuar për këtë titull. Unë do ta nokautoj atë”, ka thënë Gashi për “Boxen1”.
Kategoria bridger është kategori e re që është krijuar nga Këshilli Botëror i Boksit (WBC) në nëntor të vitit 2020. Është emërtuar sipas djaloshit amerikan Bridger Walker, i cili në korrik të vitit 2020, si gjashtëvjeçar e shpëtoi motrën e tij katërvjeçare që po sulmohej nga qeni. Bridger mori plagë në fytyrë.
Kategoria bridger mbulon peshën nga 90.7 kilogramë deri 102 kilogramë.
Senad Gashi në ringun profesionist ka 27 meçe (26 KO) e tri humbje. Ai pësoi humbje nga emrat e si Tom Schwarz, Carlos Takam e Derek Chisora.
Lerena 31-vjeçar i ka 29 fitore (14 KO) e dy humbje.
Edhe
Gashi e Vukshinaj humbin meçet për tituj bote
Ai në dhjetor të vitit të kaluar boksoi për titullin e rregullt të botës në versionin WBA në kategorinë e rëndë. U mposht me nokaut teknik në raundin e tretë nga britaniku Daniel Dubois.
Lerena në shtator të vitit 2019 e kishte mposhtur me nokaut teknik në rundin e tretë Sefer Seferin për titullin IBO në kategorinë kruzer.
“Ai është boksier i mirë. Ka shkathtësi, ka përvojë, ka fuqi dhe ka një përqindje mjaft të lartë të fitoreve me nokaut. Por, në boks ka më tepër sesa përvoja dhe fuqia. Besoj se inteligjenca ime është më e mirë se ajo e tij”, ka thënë Lerena në konferencë për media.