Formula 1 përfundimisht ka shuar shpresat për mbajtjen e garave në SHBA, Meksikë dhe Brazil këtë vit, si rezultat i situatës së rëndë me koronavirusin. Të tria këto shtete kanë ndër nivelet më të këqija të infeksionit në botë me COVID-19 dhe zyrtarët e F1 ishin të detyruar të marrin vendim për anulimin e garave pasi besojnë se do të ishte plotësisht e papërgjegjshme që në këto vende të mbahen garat. Në vend të kësaj, F1 ka bërë të ditur se tri gara të tjera në Evropë duhet të shtohen në kalendar. Po shihet mundësia e rikthimit të mundshëm në Nurburgring të Gjermanisë e Imola të Italisë, si dhe një debutim i Formula 1 në shtegun Portimao të Portugalisë. Grand për Shpërblimin e Madh të SHBA-së është dashur të mbahej në Austin të Teksasit më datën 23 tetor për të pasuar pastaj ajo në Meksiko City një javë më vonë, dhe në Brazil më 13 nëntor. Por me infeksionet që rriten vazhdimisht në këto vende kanë bërë që zyrtarët e F1 të pranojnë se do të jetë e pamundur mbajtja e tyre.
“Mbajtja e garave në SHBA, Meksikë dhe Brazil për këtë vit nuk do të jetë e mundur për shkak të situatës së rëndë me koronavirusin. Po punohet që këto gara të anuluara të kompensohen diku në Evropë”, është thënë në një njoftim të lëshuar nga F1.
Ndërkohë edhe shpresa për ringjalljen e garës në Kanadë, e planifikuar fillimit të mbahet në muajin qershor dhe pastaj e shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm, gjithashtu është shuar përfundimisht. Koronavirusi ka një përhapje shumë më të ulët në Kanada, por vendi ka disa kufizime lokale dhe rregulla udhëtimi që e bëjnë të pamundur mbajtjen e një gare të Formulës 1. Shtegu i Nurburgringut në Gjermani, i cili organizoi për herë të fundit një garë në vitin 2013, pritet ta mbajë garën më 11 tetor, kur do të jetë i prekshëm nga moti i keq. Asnjëherë në një datë të tillë nuk është mbajtur ndonjë garë në shtegun historik në malet Eifel, ku bie dëborë edhe gjatë verës, dhe kushtet e këqija nuk përjashtohen as në muajin tetor kur F1 po planifikon të mbajë garën e parë pas shtatë vjetësh në këtë vend. Pas Nurburgringut do të pasonte shtegu Portimao në Algrave të Portugalisë, në të cilën gara do të mbahej më 25 tetor dhe në Imola më datën 1 nëntor. Imola ka lidhje të gjata historike me F1. E zëvendësoi Monzan si shtëpinë e Shpërblimit të Madh të Italisë në vitin në 1980 dhe kishte një datë të përhershme në kalendar si gara e San Marinos prej vitit 1981 deri në vitin 2006. Imola është gjithashtu pista famëkeqe në të cilën vdiqën pilotët e F1, Ayrton Senna dhe Roland Ratzenberger në vitin 1994. Formula 1 ende nuk ka një kalendar të plotë, por mbetet me shpresë se do të ketë të paktën 16 gara këtë vit. Tre garat shtesë, në Nurburgring, Portimao dhe Imola, do ta zgjasin kalendarin e F1 në 13 gara, dhe sezoni pritet të mbyllet me dy gara në Bahrein dhe një në Abu Dhabi gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të këtij viti. Për më tepër, F1 është duke punuar në mbajtjen e një ose dy garave në Azi të planifikuara prej fillimit deri në mesin e muajit nëntor. Qarku i ri rrugor në kryeqytetin vietnamez Hanoi, i cili është dashur të bënte debutimin e tij si një vend F1 në muajin prill, është pothuajse i sigurt për të mbajtur një garë, dhe ekziston mundësia e një rikthimi në rrugën Sepang të Malajzisë, në të cilën janë mbajtur garat rregullisht prej vitit 1999 deri më 2017.
Deri më tash Formula 1 ka mbajtur vetëm tri gara në kuadër të këtij viti kalendarik. Dy garat e para janë mbajtur në Austri derisa e treta në Hungari. Gara e ardhshme do të mbahet në fillim të muajit gusht në Britani të Madhe. Pas tri garave të zhvilluara deri më tash, renditjes së pilotëve i prin Lewis Hamilton me 63 pikë të mbledhura, i përcjellë nga Valtteri Bottas (58) dhe Max Verstappen (33).