Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, ka thënë se fokusi është te ndeshjet miqësore jo te Evropiani që këtë verë zhvillohet në Gjermani. Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në “Euro 2024”. Por Sylvinho në konferencë për media tha se te Shqipëria është folur vetëm për Kilin dhe Suedinë. Shqipëria e luan në stadiumin “Ennio Tardini” të Paramas ndeshjen miqësore kundër Kilit. Ndeshja luhet të premten dhe nis në ora 20:45.
“Lojtarët e dinë që Evropiani ka shumë për të filluar. Ne jemi prej tri ditësh me lojtarët dhe flitet vetëm për Kilin dhe Suedinë. Ky është moment shumë i rëndësishëm për ne, për çdo lojtar, janë dy ndeshje shumë të vështira. Nuk besoj te miqësoret. Kili është shumë i fortë, jo vetëm Sanchez, ka edhe një mesfushor pas të cilit çmendem si Perez, por edhe Echeverri, lojtarë të fortë. Kili ka luajtur në nëntë kampionate botërore, ka kaluar grupet, është mësuar të luajë kundër të gjithëve, Anglisë, Italisë, Brazilit. Tani për mua është shumë e veçantë të luaj ndaj tyre, se jam amerikano-jugor. Por janë të fortë, i respektoj shumë. Është një ndjesi tjetër, por e bukur. Jam i kënaqur që jam këtu dhe nesër do të kemi një stadium të mbushur me shqiptarë, dhe kjo na gëzon shumë që do të luajmë këtë ndeshje”, ka thënë Sylvinho të enjten.
Ai ka folur edhe për kthimin e Rey Manajt, Armando Brojës, Arbnor Muçollit dhe grumbullimin për herë të parë të Arbër Hoxhës me ekipin kuqezi.
“Është e drejtë që Manaj e Broja vijnë se po bëjnë mirë, janë të rëndësishëm, janë të ndryshëm në karakteristika. Duhet të vlerësojmë, nuk janë në garë, por çdo ditë duhet të vlerësojmë çdo gjë, ata dhe çdo tjetër. Po, mund të luajnë bashkë, nuk është problem. Por ta shohim. Janë dy ndeshje të vështira. Unë kam mësuar që nuk mund të thuash nuk luhet ky me këtë. Sipas meje, nëse lojtari është i fortë dhe ekipi është në ekuilibër, mund të bëhet çdo gjë”, ka theksuar ai.
Sylvinho ka insistuar se është herët të japë detaje rreth listës përfundimtare për Evropian. Thotë se ka kohë ende për listën përfundimtare, ndërsa ndeshjet kundër Kilit dhe Suedisë i ka cilësuar më shumë se miqësore.
“Nuk e mendoj listën, aspak, çdo gjë duhet vlerësuar. E kam thënë për Mujën, Dakun, Gjasulën që kanë bërë rrugëtim të rëndësishëm për ne, janë lojtarë që marrim në konsideratë. Si jo, tani do të shohim ndonjë lojtar tjetër, nuk ka asnjë në listë tani. Kemi dy ndeshje të vështira, vlerësojmë gjithçka, shkojmë në fushë ndaj dy skuadrave shumë të forta, mendojmë për Kilin dhe Suedinë”, ka theksuar Sylvinho.
Shqipëria në qershor i ka edhe dy miqësore para se të paraqitet në Evropian. Luan kundër Lihtenshtajnit më 3 qershor, kurse ndaj Azerbajxhanit më 7 qershor.
Por edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, thotë se nuk mendojnë për Evropianin. Ai i vlerëson të rëndësishme përballjet miqësore.
“Besoj jo vetëm në portë dhe sulm, por në gjithë skuadrën kanë cilësi. Janë një kombëtare që gjithmonë kanë qenë në Botëror ose në Kupën e Amerikës të kualifikuar. Do jetë një test shumë i rëndësishëm për ne, pasi nuk jemi mësuar të luajmë me kombëtare të tilla. Ditët e sotme nuk ka më miqësore dhe mendoj se do t’i japim shumë vëmendje kësaj ndeshjeje dhe ta përballojmë me 100%”, ka thënë Gjimshiti.
Mbrojtësi i Atalantas, që garon në Serie A të Italisë, megjithatë ka dhënë një përgjigje për gjasat e Shqipërisë në Evropian. Është përgjigjur pas insistimit të madh nga gazetarët e pranishëm në konferencë.
“Sigurisht që Italia është një kombëtare që ka historinë e vet, janë pothuajse gjithmonë në Evropian e Botëror. Gjithsesi në futboll gjithçka është e mundur. Kemi një frymë jashtëzakonisht të mirë në skuadër, kemi lojtarë me cilësi. I gjithë ekipi është në rrugën e duhur dhe pse jo, pse të mos bëjmë surprizë në Evropian. Në këtë moment nuk e kemi shumë mendjen te Evropiani, kemi një herë këto dy miqësore që janë shumë të vështira. Pastaj kemi kohë të mendojmë për Evropianin. Nuk është se kemi shumë frikë, por duhet të kemi respekt sepse janë kombëtare të mëdha, siç është Italia apo edhe ekipet e tjera në grupin e Evropianit”, ka thënë Gjimshiti.
Në Evropian, Shqipëria është në grup të vështirë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.