Kombëtarja e Shqipërisë në futboll të premten e luan ndeshjen e fundit përgatitore para evropianit “Gjermania 2024”. Miqësoren ndaj Azerbajxhanit te Shqipëria e cilësojnë të rëndësishme.
Ndeshja Shqipëri – Azerbajxhan zhvillohet në stadiumin “Haladas Sportkomplexum” në Hungari dhe nis në orën 19:00.
Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, në konferencën për shtyp të enjten tha se është shumë i kënaqur me punën e lojtarëve gjatë gjithë fazës përgatitore.
Tekniku brazilian konfirmoi se ndaj Azerbajxhanit do t’u japë më shumë hapësirë lojtarëve që nuk kanë luajtur në ndeshjen ndaj Lihtenshtajnit. Shqipëria ishte bindëse ndaj Lihtenshtajnit. Fitoi të hënën me rezultatin 3:0.
“Kemi edhe pak ditë kohë deri në ndeshjen me Italinë dhe mbetet për t’u parë si do të vijnë gjërat deri në atë moment. E rëndësishme është që në ndeshjen me Azerbajxhanin t’u japim mundësi lojtarëve, sidomos atyre që nuk kanë luajtur shumë minuta, të provojmë sa më shumë gjëra të reja. Është një proces shumë dinamik, shumë i shpejtë për Kombëtaren”, ka thënë Sylvinho.
Ai komentoi edhe përballjen e parë të Shqipërisë në Gjermani. Tha se i pret ndeshje e vështirë ndaj kampiones në fuqi të Evropës, Italisë.
Në grup me Shqipërinë e Italinë janë edhe Spanja dhe Kroacia.
“Italia është skuadra kampione në fuqi e Evropës. Sigurisht që është një ndeshje shumë e vështirë. Po përgatitemi të përballemi si duhet me Italinë, një nga ekipet më të forta në Evropë dhe botë, ashtu sikurse Kroacia dhe Spanja që janë në grupin tonë. Është një grup shumë i fortë, shumë i bukur për Shqipërinë, për të gjithë ne, stafin, lojtarët. E rëndësishme është që ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në finalet e një turneu të madh si Evropiani, të provojmë të bëjmë më të mirën në turne. Pas ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin do të kemi mundësinë të vlerësojmë dhe të bëjmë analizat tona për t’u përballur sa më mirë me Italinë në sfidën e parë. Normalisht e kam parë edhe miqësoren mes Italisë dhe Turqisë”, është shprehur Sylvinho.
Sylvinho të premten dorëzon listën përfundimtare me emrat e 26 lojtarëve që do të paraqiten në evropianin “Gjermania 2024”. Tekniku brazilian nuk e ka komentuar listën, duke thënë se me rëndësi është që lojtarët të përgatiten mirë dhe të punojmë mirë.
Ai ka thënë se lojtarët që paraqiten në Serie A janë të motivuar për fitore ndaj Italisë.
“Ne kemi shumë respekt për rivalët tanë, Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Mbi të gjitha kemi shumë respekt për turneun, për “Euro 2024”. Ju siguroj 100% që ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi tre rivalë jo të fortë në grup, por tre rivalë shumë të fortë. Sigurisht kemi respekt për rivalët”, ka theksuar braziliani.
Ai ka mbrojtur vendimin për ta përfshirë mesfushorin Amir Abrashi, duke vlerësuar kontributin që ka dhënë në kualifikime dhe ndeshje miqësore.
Përkrah Sylvinhos në konferencë ishte edhe sulmuesi Taulant Seferi. Seferi siguroi se e gjithë skuadra do të japë maksimumin në finalet e Evropianit.
“Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë fort, me intensitet të lartë me të gjithë stafin. Është krenari të jesh pjesë e Kombëtares, ndjesi shumë e mirë. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është që jemi të gjithë bashkë dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe mezi po e presim Evropianin. Po punojmë fort”, ka thënë Seferi.
Ai ka theksuar se pranon konkurrencën me Arbër Hoxhën. Thotë se konkurrenca e bën ekipin më të fortë.
Pas ndeshjes kundër Azerbajxhanit, Shqipëria udhëton për në Gjermani ku do t’i kryejë përgatitjet e fundit para Evropianit. Ndeshjen e parë kundër Italisë, Shqipëria e luan më 15 qershor në Dortmund. Më 19 qershor luan në Hamburg ndaj Kroacisë, kurse më 24 qershor ndeshjen e fundit në grup kundër Spanjës në Dusseldorf.