Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Flick kërkon nga lojtarët t’i injorojnë vërshëllimat e tifozëve të Hungarisë në Budapest

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Hansi Flick, i ka thënë ekipit të tij që të ruajë qetësinë në Budapest gjatë ndeshjes së të shtunës në Ligën e Kombeve kundër Hungarisë, ku turma vendase pritet t'ua bëjë gjermanëve një pritje armiqësore.

“Secili prej nesh ka luajtur në ndeshje ku atmosfera ishte e ndezur”, tha Flick të premten në konferencën për shtyp. “Mund të ketë fishkëllima nga tifozët e Hungarisë, por sapo të fillojë ndeshja fokusi ynë do të jetë te loja”.

Ka histori mes ekipit gjerman dhe tifozëve hungarezë nga barazimi 2:2 i qershorit të kaluar në Muenchen gjatë fazës së grupeve të “Euro 2020”. Pasi shënoi golin e barazimit, mesfushori i Gjermanisë, Leon Goretzka, bëri një formë të zemrës me duart e tij për tifozët hungarezë, të cilët ia kishin kthyer shpinën fushës përpara se të niste himni kombëtar gjerman. Thomas Mueller tha se gjesti i Goretzka pasqyronte ndjenjat e ekipit ndaj tifozëve vizitorë, të cilët provokuan gjermanët gjatë gjithë ndeshjes.

“Veprimi i Leonit ishte spontan dhe një reagim i madh ndaj asaj që ndodhi”, shtoi Thomas Mueller. “Blloku i tifozëve hungarezë nuk tregoi anën e tij më të mirë. Gjesti i tij foli nga zemrat tona”.

Hungaria arriti një fitore shokuese 1:0 në shtëpi ndaj Anglisë të shtunën e kaluar, kur lojtarët e ftuar anglezë u tunduan nga turma e Budapestit për gjunjëzimin e tyre - për të promovuar antiracizmin - para fillimit të ndeshjes. Të dy përfaqësueset, Gjermania dhe Anglia, u gjunjëzuan para barazimit 1:1 të së martës në Muenchen, por Mueller tha se nuk ka plane që skuadra gjermane të përsërisë gjestin edhe në Budapest.

“Anglezët u gjunjëzuan si pjesë e fushatës së tyre. Ne mendojmë se është një gjë e mirë, prandaj morëm pjesë”, shpjegoi Mueller. “Ne jemi të hapur për fushata që përfaqësojnë vlerat tona, por asgjë nuk është planifikuar para ndeshjes në Budapest”.

Pas barazimeve kundër Italisë dhe Anglisë, përzgjedhësi Flick do të emërojë ekipin e tij më të fortë duke përjashtuar mundësinë e pushimit edhe për portierin Manuel Neuer, i cili është kapiten i Gjermanisë.

Edhe Gjermanët kërkojnë fitore ndaj Hungarisë për ta vazhduar momentin e mirë Euro 2020 Gjermanët kërkojnë fitore ndaj Hungarisë për ta vazhduar momentin e mirë

Pesë muaj para fillimit të Kampionatit Botëror “Katari 2022”, Flick duhet ende të vendosë për sulmuesin e tij të parë. Timo Werner filloi kundër Italisë në Bologna, më pas bashkëlojtari i tij në Chelsea, Kai Havertz, u përdor në të njëjtën pozitë kundër Anglisë. Flick la të kuptohet se Werner do të startojë në Budapest dhe i bëri thirrje 26-vjeçarit që të shtojë numrin e 22 golave ​​në 51 ndeshje ndërkombëtare me Gjermaninë.

“Ne kemi nevojë për lojtarë që janë në formë, gjë që është vendimtare për Kampionatin Botëror që mbahet në Katar. Ne nuk kemi kohë për të bërë ndryshime”, insistoi Flick. “Është shumë e mundur që Timo të luajë nga fillimi kundër Hungarisë. Ai mund të shënojë gola, gjë që i jep gjithmonë besim”.

Gjermania është e treta në Grupin 3 të Ligës A të Ligës së Kombeve me dy pikë, një më shumë se Anglia që zë vendin e fundit. Italia i prin grupit me katër pikë të mbledhura, një më shumë se Hungaria në pozitën e dytë. Në duelin tjetër të këtij grupi takohen Anglia me Italinë, që do të jetë një përsëritje e finales së “Euro 2020”. Të dy ndeshjet startojnë në orën 20:45, të shtunën.