Euro 2020

Gjermanët kërkojnë fitore ndaj Hungarisë për ta vazhduar momentin e mirë

Gjermania e Hungaria po mundohen të shmangin një eliminim të hershëm nga Kampionati Evropian.

Hungarisë i duhet fitorja kur ekipet të takohen të mërkurën nga ora 21:00 në Munich. Gjermania mund të kualifikohet edhe pa fituar.

Ndeshja vjen pas një kërkese për të ndezur në stadiumin në Munich dritat me ngjyra të ylberit, për të protestuar për atë që këshilli i qytetit të Munichut e ka vlerësuar “legjislacion homofobik dhe transfobik i qeverisë hungareze”.

UEFA refuzoi aplikimin e këshillit. Më parë i dha leje portierit Manuel Neur që të vazhdonte të mbante shiritin e kapitenit me ngjyrat e ylberit, “duke marrë parasysh që ai po promovonte një kauzë të mirë, diversitetin”.

Do të jetë ndeshja e parë garuese mes Gjermanisë dhe Hungarisë që nga “Mrekullia e Bernës” në finalen e Botërorit 1954, kur Gjermania Perëndimore përmbysi rezultatin për të fituar 3:2 ndaj ekipit të Hungarisë që vlerësohej më i miri në botë.

Ekipi aktual hungarez i Marco Rossit nuk mund të krahasohet me “hungarezët e fuqishëm” të dikurshëm. Por prapë mund ta sigurojë kalimin në një të tetën e finales, pasi mbrojtësi Attila Fiola shënoi në barazimin 1:1 me kampionen e botës, Francën.

Hungaria humbi 3:0 nga Portugalia në ndeshjen hapëse. Gjermania kaloi humbjen në nismë nga Franca, duke shkëlqyer në fitoren 4:2 ndaj Portugalisë.

Franca udhëheq grupin F me katër pikë, ndërsa e luan ndeshjen e fundit ndaj Portugalisë. Portugalia e Gjermania i kanë nga tri pikë, ndërsa Hungaria e ka një.

“Ne ishim prej fillimit grupi më i vështirë dhe Hungaria natyrisht është pjesë e tij”, ka thënë mesfushori Leon Goretzka. “Nëse shikoni të dy ndeshjet, hungarezët kanë ofruar shfaqje të jashtëzakonshme ndaj Portugalisë. Janë mbrojtur shumë mirë për kohë shumë të gjatë, kanë luajtur me shumë pasion, ashtu si duhet të luhet”.

Goretzka pritet të startojë pas telasheve me lëndime te Gjermania. Sulmuesi me ndikim, Thomas Mueller, është në dyshim për shkak të një lëndimi, ndërsa Mats Hummels ka telashe me gjurin. Të dy janë ftuar në ekip për Evropian, për shkak të përvojës. Dhe të dy po kanë ndikim të madh.

Lojtarët e tjerë me telashe të vogla shëndetësore, Ilkay Gundogan, Toni Kroos e Robin Gosens, kanë marrë pjesë në stërvitjen e së martës. Mueller dhe Lukas Klostermann ishin të vetmit që munguan.

“Duhet të shohim se si janë mbrojtur hungarezët në dy ndeshjet e para dhe të gjejmë zgjidhje. Synimi i qartë është ta fitojmë ndeshjen. Kështu nuk duhet të shikojmë gjërat e tjera, si rezultatet e grupeve apo kushedi çka. Ne vetëm duam ta fitojmë ndeshjen dhe të vazhdojmë momentin pozitiv që e kemi nisur me fitore ndaj Portugalisë, ka theksuar Goretzka.

Hungaria nuk do ta ketë përkrahjen e tifozërisë që e kishte në dy ndeshjet e para. Stadiumi në Budapest ishte i mbushur me përkrahës të Hungarisë, por ndeshja me Gjermaninë luhet në Munich.

“Fakti që luajmë në udhëtim është motivim shtesë”, ka thënë mesfushori Adam Nagy. “Qartë se është mirë të luhet në shtëpi, por është motivuese edhe kur luan larg shtëpisë dhe fishkëllehesh gjatë daljes në fushë”.

“Euro 2020”, Grupi F: Gjermania – Hungaria, e mërkurë (21:00)