Dy prej përfaqësueseve më të mira, Spanja dhe Gjermania, do të ballafaqohen në çerekfinalen e parë të Kampionatit Evropian. Këto dy përfaqësuese janë më të suksesshmet në garën kontinentale me nga tre trofe të fituar, por njëra nga to do ta kërkojë lavdinë deri në fund në Euro 2024, e tjetra do të eliminohet.
Ndeshja Spanja – Gjermania luhet të premten nga ora 18:00 në stadiumin e Stuttgartit.
Spanja është përfaqësuesja me bilancin më të mirë në turne. Ka shënuar nëntë gola dhe e ka pësuar vetëm një, në katër fitore rresht. Nikoqirja Gjermania ka më së shumti gola të shënuar, dhjetë, përgjatë tri fitoreve e një barazimi.
Tifozët janë dashuruar me paraqitjen mbresëlënëse të Spanjës me futbollistët e rinj të krahut, Lamine Yamal dhe Nico Williams.
Yamal është futbollisti më i ri që paraqitet në Evropian me 16 vjet, kurse Williams u ka shkaktuar shumë telashe mbrojtjeve kundërshtare me shpejtësinë dhe kreativitetin. Paraqitjeve të tyre të mira u është bashkuar edhe mesfushori Fabian Ruiz, që aktualisht është golashënuesi më i mirë i skuadrës me dy gola.
“Nuk dua ta ofendoj askënd, por ne kemi qenë skuadra më e mirë e turneut”, ka thënë selektori i Spanjës, Luis de la Fuente, para ndeshjes. “Ne do të luftojmë për të triumfuar dhe e dimë se çfarë na pret. Është makineria e njohur gjermane. Do të jetë ndeshje shumë e barabartë, por ne kemi vetëbesim në lojën tonë”, ka shtuar ai.
Pas eliminimit të befasishëm në fazën grupore të Kupës së Botës 2022 në Katar, Gjermania po e kalon formën më të mirë në turne madhor në tetë vjet. Gjermanët po e synojnë trofeun e parë pas një dekade. Për herën e fundit gjermanët kishin triumfuar në Kupën e Botës 2014.
Mesfushori i ri me tipare sulmuese, Jamal Musiala, është golashënuesi më i mirë i Gjermanisë në “Euro 2024” me tri gola, ndërsa Niclas Fuellkrug është i dyti me dy gola.
Ballafaqimi i së premtes nuk do të jetë i lehtë aspak për skuadrën që drejtohet nga selektori Julian Nagelsmann. Për më shumë, Gjermania nuk di për fitore nëpër turne madhor ndaj Spanjës tash e 36 vjet. Fitorja e fundit e gjermanëve ndaj spanjollëve ishte në “Euro 1988”.
Gjermania humbi në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2010 nga Spanja dhe në finale të Evropianit 2008, teksa u demolua 6:0 në Ligën e Kombeve para katër vjetësh. Megjithatë, takimi i fundit mes tyre ishte në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe përfundoi 1:1, në fazën grupore.
Humbja e mundshme të premten do të ishte edhe pensionim për mesfushorin veteran, Toni Kroos, i cili i ka dhënë fund karrierës në nivel klubesh. Ishte kohë të gjatë te Real Madridi ku shkëlqeu. Krossi po lufton për trofeun e fundit që i mungon në karrierën e jashtëzakonshme.
“Do të ishte përfundim i bujshëm, por e kam konsideruar edhe mundësinë që kjo të mos ndodhë. Nuk jam nostalgjik aspak”, u ka thënë gazetarëve Kroosi të enjten.
“Nuk pres që kjo të jetë ndeshja ime e fundit dhe besoj se do të shihemi sërish”.
Spanja dhe Gjermania janë fituese të Evropianit nga tri herë. Por, fituesja e kësaj ndeshjeje do të ketë sërish përballje të vështirë në gjysmëfinale pasi do të takohet me fituesin e ndeshjes Portugalia – Franca, që luhet të premten po ashtu, në Hamburg.