Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2024

Raundi dramatik përfundoi, koha për gjysmëfinalet

Euro 2024

Pas raundit dramatik, atij të çerekfinaleve, ku u eliminuan Gjermania dhe Portugalia e Cristiano Ronaldos, “Euro 2024” po hyn ngadalë në fazën e gjysmëfinaleve, që do të luhen të martën dhe të mërkurën.

Përfaqësueset e kualifikuara në gjysmëfinale janë Spanja, Anglia, Franca dhe Holanda.

Prej përfaqësueseve gjysmëfinaliste, Spanja është e vetmja që i ka fituar të gjitha ndeshjet në Gjermani. I ka shënuar 11 gola në pesë ballafaqimet që i ka luajtur.

Ndërkohë, Holanda është përfaqësuesja me sulmin e dytë më të mirë nga ekipet e mbetura në turne, me nëntë gola në pesë ndeshje.

Spanja do të ballafaqohet me Francën nga ora 21:00 në gjysmëfinalen e parë, të martën. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Allianz Arena” në Munih.

Gjysmëfinalja tjetër do të jetë ajo mes Anglisë dhe Holandës.

Edhe Ndeshje të forta, fytyra të reja dhe shumë befasi – Evropiani gjithnjë e më garues Euro 2024 Ndeshje të forta, fytyra të reja dhe shumë befasi – Evropiani gjithnjë e më garues

Holanda e Anglia takohen të mërkurën në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, në ndeshjen që po ashtu nis në orën 21:00.

Fituesit e këtyre dy çifteve do të luajnë në finalen e madhe të 14 korrikut në “Olimpiastadion” të Berlinit. Deri tani është vlerësuar shumë i suksesshëm Evropiani i organizuar nga UEFA.

Konfederata Evropiane e Futbollit ka menduar edhe për aspektin financiar të shteteve pjesëmarrëse. 331 milionë euro ka qenë totali i parave të ndara për 24 përfaqësueset. Maksimumi i të ardhurave për kampionin e “Euro 2024” do të jetë 28.25 milionë euro. Kjo vlen vetëm për përfaqësueset që i kanë fituar të tria ndeshjet e fazës grupore.

Në “Euro 2024” ka pasur edhe lojtarë të dalluar, të cilët kanë shënuar gola po ashtu. Katër lojtarë e ndajnë epitetin e golashënuesit më të mirë me nga tre gola. Georges Mikautadze i Gjeorgjisë, Jamal Musiala i Gjermanisë, Cody Gakpo i Holandës dhe Ivan Schranz i Sllovakisë. Por prej gjithë këtyre, vetëm Gakpo do të luajë në gjysmëfinale.

Njëmbëdhjetë lojtarë të tjerë janë në listë me nga dy gola. Aty përfshihen edhe dyshja e Anglisë, Harry Kane dhe Jude Bellingham, Kylian Mbappe i Francës dhe Dani Olmo i Spanjës.

Do të ketë edhe lojtarë të suspenduar për ndeshjet gjysmëfinale, por edhe nga ata të cilët shkaku i lëndimeve e kanë humbur pjesën më të rëndësishme të Evropianit.

Edhe Holanda e Anglia larg formës më të mirë, por shumë pranë finales Euro 2024 Holanda e Anglia larg formës më të mirë, por shumë pranë finales

Mesfushori i Spanjës, Pedri, do të mungojë për pjesën e mbetur të turneut shkaku i lëndimit të gjurit. Ndërkohë, mbrojtësi i Real Madridit dhe ai i Real Sociedadit, Dani Carvajal dhe Robin Le Normand, janë të suspenduar për gjysmëfinale.

Në duelet e ndërsjella, Spanja është më e suksesshme se Franca me 16 fitore. 13 fitore i ka Franca, kurse shtatë herë dy përfaqësueset e mëdha janë ndarë baras.

Holanda ka më shumë suksese se Anglia në ndeshjet e luajtura mes vete. Holandezët kanë shtatë fitore, gjashtë fitore i kanë shënuar anglezët, kurse nëntë herë këto dy përfaqësuese janë ndarë baras.

Rrugës për në gjysmëfinale Spanja fitoi 3:0 ndaj Kroacisë, e mposhti 1:0 Italinë e me të njëjtin rezultat edhe Shqipërinë, në ndeshjet e Grupit B. Në raundin e një të tetës së finales, Spanja e eliminoi Gjeorgjinë 4:1, kurse Gjermaninë në çerekfinale e mposhti 2:1 në vazhdime.

Franca ishte në Grupin D dhe e nisi kampanjën me fitore 1:0 ndaj Austrisë. Barazoi pa gola me Holandën, dhe luajti 1:1 me Poloninë. Ndaj Belgjikës triumfoi 1:0 në një të tetën e finales, kurse 5:3 e mposhti Portugalinë në çerekfinale.

Edhe Spanja efikase përballë Francës së Mbappes për vend në finale Euro 2024 Spanja efikase përballë Francës së Mbappes për vend në finale

Holanda, po ashtu, nuk kishte shkëlqim në fazën grupore, ku ishte bashkë me Francën. Fitoi 2:1 ndaj Polonisë, barazoi 0:0 me Francën dhe humbi 3:2 nga Austria. Por në fazën nokaut, në një të tetën e finales, shkëlqeu me fitore 3:0 ndaj Rumanisë. 2:1 fitoi ndaj Turqisë në çerekfinale, me rikthim të rezultatit në Berlin.

Edhe Anglia u kritikua për paraqitje në Grupin C dhe në fazën nokaut. 1:0 e mposhti Serbinë, barazoi 1:1 me Danimarkën dhe barazoi pa gola me Slloveninë. Më pas në vazhdime fitoi 2:1 ndaj Sllovakisë në një të tetën e finales, kurse 5:3 fitoi në ekzekutimin e penalltive ndaj Zvicrës, për të bërë vend në gjysmëfinale.