Anglia do ta kërkojë finalen e parë të një turneu të madh jashtë territorit të saj, kur të mërkurën të përballet me Holandën në gjysmëfinale të “Euro 2024”.
Gjysmëfinalja e dytë, Holandë – Angli, zhvillohet në Dortmund nga ora 21:00.
“Tre Luanët” fillimisht shpresojnë të përsërisin suksesin e “Euro 2020”, në të cilën ngjarje arritën në finale. Nëse kalojnë Holandën të mërkurën, atëherë u mbetet hapi i madh, që nuk e bënë para tre vjetësh në finalen ndaj Italisë në “Wembley”.
Triumfi i vetëm i Anglisë në turne të madh ndodhi po ashtu në Angli, në Kupën e Botës 1966.
Djelmoshat e Gareth Southgate po shpresojnë t’i japin fund pritjes prej 58 vjetësh për trofe të rëndësishëm. Ata kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, por jo edhe cilësinë që pritej para se të niste Evropiani në Gjermani. Anglia është llogaritur njëra prej favoriteve dhe ndonëse nuk shfaqi më të mirën tani është në gjysmëfinale.
Ndaj Sllovakisë ishte në disavantazh nga minuta e 25-të, por Jude Bellingham siguroi vazhdimet me golin e minutës së 95-të e më pas Harry Kanë realizoi për fitoren 2:1. Në çerekfinale, Anglia e kaloi Zvicrën pas gjuajtjes së penalltive.
Talenti i shfaqur nga Jude Bellingham dhe Bukayo Sako ishin prej pikave të pakta të ndritshme në ndeshjet me Sllovakinë dhe Zvicrën. Southgate ka mbrojtur bilancin e përfaqësueses, ndonëse më e mira nuk është shfaqur ende.
Me Southgaten në krye, Anglia është në gjysmëfinalen e tretë në katër turne të mëdhenj. Është barazuar shifra prej tri gjysmëfinaleve që i kishte Anglia në histori, para se Southgate të merrte drejtimin, tetë vjet më parë.
Por kjo nuk e ka mbrojtur 53-vjeçarin nga kritikat. Ai madje u godit me gota birre pas barazimit pa gola me Slloveninë në fazën e grupeve. Është përballur me reagime edhe për shkak të taktikës që ka vendosur ta aplikojë.
“Jemi në gjysmëfinalen e tretë në katër turne dhe mendoj se vazhdojmë t’u ofrojmë njerëzve kujtime fantastike. Ne do të vazhdojmë luftën dhe do të vazhdojmë të shijojmë këtë rrugëtim”, ka thënë Southgate.
Një ndryshim në formacion për ndeshjen ndaj Zvicrës siguroi një paraqitje më të mirë se ajo ndaj Sllovakisë. Southgate pritet t’i përmbahet sistemit 3-4-2-1, me Marc Guehin që kthehet nga suspendimi dhe do ta zëvendësojë Ezri Konsan.
Southgate ka lënë të kuptohet se Anglia ka përfunduar në anën e mirë të shortit, duke shmangur përfaqësuese si Franca, Spanja, Gjermania e Portugalia.
Por holandezët mund ta konsiderojnë veten edhe më me fat për rrugën e tyre drejt gjysmëfinales, e potencialisht edhe finales, pasi përfunduan në vendin e tretë në Grupin D, pas Francës dhe Austrisë.
Të përzgjedhurit e Ronald Koemanit paraqitjen më të mirë e kishin në fitoren 3:0 ndaj Rumanisë në një të tetën e finales. Luftuan shumë për fitoren e vështirë, 2:1, ndaj Turqisë në çerekfinale.
Tek Anglia thuajse të gjithë janë yje të Premier Leagues. Por edhe Holanda mburret me talentet e shumta që i ka. Shumë prej tyre luajnë po ashtu në Premier League.
“Nëse shihni cilësinë e lojtarëve që do të jenë në fushë, atëherë mund të pritet që ritmi dhe niveli i lojës të jetë vërtet i lartë.”, ka theksuar mbrojtësi i Tottenhamit, Micky van de Ven.
Cody Gakpo ka qenë sulmuesi i momentit në “Euro 2024”. Është i vetmi që ka shënuar tri gola dhe që ka arritur në gjysmëfinale.
Holanda në vitin 1988 e fitoi Evropianin që po ashtu ishte mbajtur në Gjermani. Prej atëherë pret për finalen tjetër në ngjarjen kontinentale. Në gjysmëfinale së fundi kishte luajtur në vitin 2004.
Holandezët e shohin rastin që të jenë në finalen e së dielës në Berlin, ndërsa forma e deritashme e Anglisë i trimëron.