Anglia e Gareth Southgate dhe Holanda e Ronald Koemanit takohen të mërkurën mbrëma në gjysmëfinale të “Euro 2024”.
Të dy selektorët kanë kujtime të bukura nga përballjet me kundërshtarin e njëjtë, si lojtarë në Kampionate Evropiane. Por me rezultate përfundimtare të ndryshme.
Holanda hyri në “Euro 1988” me Koemanin në qendër të mbrojtjes. Në ekipin holandez në atë Evropian ishin yje si Frank Rijkaard, Ruud Gullit, Marco van Basten dhe vëllai i madh i Koemanit, Erwini, aktualisht asistent i tij.
Anglia dhe Holanda u takuan në fazën e grupeve, në ndeshje vendimtare. Të dy përfaqësueset e kishin humbur ndeshjen hapëse. Anglia ishte shokuar nga Irlanda, ndërsa Holanda kishte pësuar nga Bashkimi Sovjetik.
Anglia goditi dy herë shtyllën në pjesën e parë, para se Van Basten të kalonte në epërsi Holandën. Ndonëse Bryan Robson barazoi rezultatin në fillim të pjesës së dytë, superylli holandez Van Basten kompetoi “hat-trickun” për fitoren 3:1.
Koemani më pas kishte realizuar penallti në fitoren 2:1 ndaj nikoqires Gjermanisë Perëndimore, por me gjasë kujtohet më së shumti për atë që ndodhi pas ndeshjes. Pasi ndërroi fanellën me Olaf Thonin është dukur që Koeman bëri një veprim të pahijshëm me fanellën e lojtarit gjerman.
Holanda e fitoi Evropianin për herë të parë, që mbetet trofeu i vetëm nga ngjarjet e mëdha. Në finale holandezët fituan ndaj sovjetikëve, ndërsa Koemani ishte njëri prej gjashtë lojtarëve “tulipanë” që zunë vend në ekipin më të mirë të Evropianit.
Koemani luajti ndeshjen e fundit ndërkombëtare në Botërorin 1994. Ndërkohë Southgate bëri debutimin tek Anglia në fund të vitit 1995. Ishte vazhdimisht i pranishëm në ekipin që mbajti mbi super ëndrrat e Anglisë në “Euro 1996”.
Anglia luajti ndaj Holandës në “Wembley” në ndeshjen e fundit në grup. Të dy përfaqësueset i kishin nga katër pikë në krye të Grupit A dhe nikoqirja luajti njërën prej ndeshjeve më të mira në histori.
Anglezët dominuan plotësisht ndaj holandezëve dhe krijuan epërsi prej 4:0, falë efikasitetit të Alan Shearerit dhe Teddy Sheringhamit. Të dy shënuan nga dy gola para se Patrick Kluivert të realizonte për 4:1, 12 minuta para fundit. Falë atij goli, Holanda avancoi, kurse Skocia mbeti jashtë fazës nokaut.
Ajo fitore mbushi Anglinë me besim. Pasoi fitorja me penallti ndaj Spanjës. Por barazimi 1:1 me Gjermaninë në gjysmëfinale nënkuptonte se anglezët duhej të gjuanin penalltitë edhe njëherë.
Të dy përfaqësueset i realizuan pesë penalltitë e para. Më pas Southgate doli në skenë për penalltinë e gjashtë të Anglisë. Gjuajti shumë afër portierit, që e ndali topin. Andreas Moeller realizoi penalltinë e tij dhe Gjermania kaloi në finale e më pas e fitoi Evropianin.
Pas asaj fitoreje, Anglia nuk shënoi fitore për 22 vjet ndaj Holandës. Southgate ishte në postin e përzgjedhësit kur kjo seri përfundoi, në fitoren 1:0 në miqësore në vitin 2018. Ishte ndeshja e parë e Koemanit si selektor i Holandës.
Koemani u revanshua një vit më pas me fitoren 3:1 në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Southgate e Koeman tani kanë përballje tjetër, shumë më të rëndësishme. Fituesi do të paraqitet në finalen e “Euro 2024”, të dielën në Berlin.