Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjermania fton Muellerin

Karriera e sulmuesit Thomas Mueller te Përfaqësuesja e Gjermanisë ende nuk ka përfunduar. Selektori Hansi Flick e ka ftuar të hënën Muellerin për ta zëvendësuar Niclas Fuellkrugun e lënduar ditë më parë.

Për Muellerin, kjo është hera e parë që grumbullohet me Gjermaninë pas nëntë muajsh, pasi herën e fundit ishte pjesë e saj në Botërorin e Katarit. 33-vjeçari ndeshjen e fundit e pati në muajin dhjetor me Gjermaninë, e cila dështoi të avanconte përtej fazës së grupeve.

Atëbotë, ai pati paralajmëruar se këto ishin ndeshjet e tij të fundit me Gjermaninë, por situata ka ndryshuar të hënën kur Mueller i është bashkuar ekipit. Ai do të jetë pjesë e Gjermanisë për ndeshjet miqësore kundër Japonisë dhe Francës, të cilat janë përgatitje për Evropianin e vitit të ardhëm.

Me Japoninë, Gjermania do të përballet të shtunën, ndërsa tri ditë më vonë do të luajë kundër Francës. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Gjermani. Mueller në vitin 2010 ka debutuar me Gjermaninë dhe deri më tani ka 44 gola të shënuar në 121 ndeshje të luajtura.