Sport

Bayerni do ta pushojë Muellerin për t’ia rritur shanset për Botëror

Thomas Muller - Gjermania

Gjermania përballet me më shumë shqetësime për dëmtimet e lojtarëve përpara Kupës së Botës, me Bayern Muenchenin të vendosur ta pushojë Thomas Muellerin dhe Borussia Dortmundin që do të veprojë ngjashëm me Marco Reusin për shkak të problemeve që i kanë shfaqur këtë edicion.

Lëndimet dhe sëmundjet e ndryshme e kanë kufizuar Muellerin në vetëm dy paraqitje si zëvendësues që nga fillimi i muajit të kaluar. Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann tha të hënën se 33-vjeçari Mueller po rikuperohet, por do të pushohet për ndeshjet kundër Werder Bremenit të martën dhe Schalkes të shtunën, për të shmangur rrezikun e një dëmtimi të mëtejshëm.

“Do të doja t'i jepja pak pushim para Kupës së Botës për ta lënë të shërohet plotësisht”, tha Nagelsmann. “Meqenëse i kemi të gjithë lojtarët sulmues të shëndetshëm tani dhe kemi shumë zgjedhje, nuk është lloji i ndeshjes ku duhet të luani me dhimbje ose të rrezikoni. Kështu që ai do të pushojë”.

Trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, do të shpallë skuadrën e tij për Katar të enjten.

Trajneri i Bayernit, Nagelsmann, tha gjithashtu se mbrojtësi holandez Matthijs de Ligt ka të ngjarë të kthehet për ndeshjen e Schalkes të shtunën pas një problemi në gju, ndërsa mbrojtësi kroat Josip Stanishiq do të humbasë të dyja ndeshjet.

Trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, tha se Reus duhej të ndërpriste stërvitjen të dielën për shkak të dhimbjes së kyçit të këmbës, por të hënën “nuk dukej edhe aq keq”. Reus mezi ka luajtur për Dortmundin në pesë javët e fundit, me probleme në kyçin e këmbës, por është rikthyer për të luajtur 23 minuta në fitoren 3:0 ndaj Bochumit të shtunën. Dortmundi luan të martën me Wolfsburgun.

“Ne po mendojmë ta pushojmë Marconin edhe më shumë duke pasur parasysh se Gjermania ka nevojë për sulmues në Katar. Ne tashmë kemi biseduar me Marconin dhe ai ka ndarë të njëjtin mendim. Është mirë që të pushoj dhe të shërohet plotësisht”.

Gjermania e nis kampanjën në Kupën e Botës më 23 nëntor kundër Japonisë, përpara ndeshjeve të mëtejshme të fazës së grupeve kundër Spanjës dhe Kosta Rikës. Një lojtar që me siguri do të mungojë te Gjermania është sulmuesi i Leipzigut, Timo Werner, i cili dëmtoi ligamentin e kyçit të këmbës javën e kaluar. Portieri Manuel Neuer ishte po ashtu në dyshim pasi humbi pjesën më të madhe të tetorit me probleme me shpatullën, por ai u rikthye në aksion për Bayernin të shtunën e shkuar, në fitoren 3:2 ndaj Hertha Berlinit.