Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Neueri kthehet nga pensionimi për ta mbrojtur portën e Gjermanisë në Botëror

Manuel Neuer

Foto: Associated Press

Portieri me përvojë, Manuel Neuer, është bindur nga përzgjedhësi i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, të kthehet nga pensionimi dhe të bëhet portieri i parë në Kupën e Botës. 

40-vjeçari Neuer u pensionua pas përfundimit të Kampionatit Evropian 2024, por është përfshirë të enjten në listën prej 26 lojtarësh të Nagelsmannit, për turneun në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kthimi i Neuerit, ka bërë që portieri i Hoffenheimit, Oliver Baumann, të jetë portier i dytë i Gjermanisë. Deri në javën e kaluar, Baumann thoshte se “ajo që e ka të qartë për momentin”, ishte se do të jetë portier titullar në Kupën e Botës. 

“I kemi thënë Olit në mars se do të kishim takim me Manun”, ka thënë Nagelsmann, i cili e pranoi se rikthimi i Neuerit ishte “goditje” për 35-vjeçarin Baumann. 

“Kërkoj mirëkuptim që nuk mund të hyjë në secilin detaj nga bisedat. Mundohem të shpjegoj shumë dhe t’i marr njerëzit me vete. Ndonjëherë nuk e menaxhoj mirë, ndonjëherë po. Nga pikëpamja e Olit, padyshim se ka hapësirë për përmirësim”, ka deklaruar Nagelsmann kur është pyetur për bisedat me lojtarët. 

Baumann është portier me mbi 500 paraqitje në Bundesligë dhe se është lojtar ekipor, dhe se nuk do të lejojë që zhgënjimet personale të kenë ndikim në shanset e Gjermanisë për sukses. 
Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, është parë si zëvendësues natyral i Neuerit, por ai është përballur me lëndime dhe ka bërë dy paraqitje për Gironan pasi iu bashkua kësaj skuadre në formë huazimi në muajin janar. 

Baumann i ka 11 paraqitje për Gjermaninë, në krahasim me 124 të Neuerit, paraqitja e fundit e të cilit ishte në çerekfinalen e “Euro 2024”, ku nikoqire ishte Gjermania. Gjermania humbi 2:1 në vazhdime në atë ndeshje nga Spanja, që më vonë e fitoi trofeun. 

Kërkesat për ta përfshirë Neuerin në skuadër u bënë edhe më të zëshme kur ai shfaqi paraqitje të jashtëzakonshme për Bayern Munichun, në veçanti ndaj Real Madridit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. 

Shqetësimi i vetëm është rikthimi i lëndimeve. Neueri ishte zëvendësuar herët në ndeshjen e fundit të Bayernit këtë sezon dhe klubi tha të dielën se “ai duhet të pushojë për momentin për shkak të lëndimit muskulor në pulpën e këmbës së majtë”. Nuk është e sigurt nëse Neueri do të luajë në finale të Kupës së Gjermanisë ndaj Stuttgartit të shtunën. 

Në përpjekje për ta bërë më emocionuese këtë, Federata e Futbollit e Gjermanisë nisi të enjten në mëngjes me paraqitjen një nga një të lojtarëve të ftuar për Kupën e Botës, para se Nagelsmanni të dilte me njoftim pasdite. 

Mesfushori Joshua Kimmich ishte i pari që u konfirmua, ndërsa u përcoll nga Deniz Undav, Nico Schlotterbeck, Kai Havertz dhe ylli i Bayernit, Jamal Musiala. 

Musiala u përfshi në skuadër pasi impresionoi te Bayerni dhe shfaqi formë të lartë fizike pasi u kthye nga lëndimi i thyerjes së këmbës në Kupën e Botës për Klube, në korrik. 

“Ai është me shëndet të mirë, është në formë të mirë dhe do të na ndihmojë të luajmë mirë në Kupën e Botës”, ka thënë Neueri për 23-vjeçarin Musiala. 

Mbrojtësi i krahut të majtë i Eintracht Frankfurtit, Nathaniel Brown, do të ketë shansin për paraqitje po ashtu. 

Sulmuesi i Bayernit, Serge Gnabry, ka lëndim dhe nuk do të paraqitet në turne, ndërsa bashkëlojtari i tij te Bayerni, i talentuari Lennart Karl, u shërua plotësisht në kohë dhe është i gatshëm.  

Katër herë kampionia, Gjermania, do të përballet me Bregun e Fildishtë, Ekuadorin dhe Kuraçaon në Grupin E në Kupën e Botës. 

Përgatitjet pritet të nisin në resortin bavarez në Herzogenaurach më 27 maj, dy ditë më vonë se është planifikuar fillimisht. 

Gjermania do të luajë miqësore me Finlandën në Mainz më 31 maj dhe me SHBA-në në Chicago, më 6 qershor. 

“Mendoj se jemi përgatitur mirë”, ka thënë Nagelsmann. “Duhet që me vepra të flasim. Për këtë jam krenar që gjërat më në fund po marrin kuptim”.


Lista e Gjermanisë për Kupën e Botës 2026

Portierët: Oliver Baumann, Manuel Neuer, Alexander Nubel 
Mbrojtësit: Joshua Kimmich, Nico Schlotterbeck, Nathaniel Brown, David Raum, Waldemar Anton, Pascal Gross, Antonio Rudiger, Malick Thiaw, Jonathan Tah 
Mesfushorët: Jamal Musiala, Jamie Leweling, Aleksandar Pavloviq, Nadiem Amiri, Felix Nmecha, Angelo Stiller, Leon Goretzka
Sulmuesit: Kai Havertz, Deniz Undav, Maximilian Beier, Florian Wirtz, Nick Woltemade, Lennart Karl, Leroy Sane.