Melirona Avdullahu e Yllka Jashari kanë bërë krenar komunitetin e volejbollit kosovar të dielën. Ato kanë fituar titullin e kampionit në Kampionatin Ballkanik U22 të volejbollit në rërë.
Ballkaniku për senioret e reja është mbajtur në Shtip të Maqedonisë së Veriut për tri ditë rresht. Volejbollistet e Kosovës pos me konkurrencën në terren janë përballur edhe me qëndrimin antisportiv të Federatës së Volejbollit të Serbisë. Volejbollistet serbe kanë refuzuar të dalin për t’u ndeshur me volejbollistet e Kosovës dhe kështu i kanë humbur dy ndeshje me rezultat zyrtar.
Në fazën grupore Kosova humbi 2:0 nga ekipi i parë i Rumanisë, ndërsa fitoi 2:0 ndaj ekipit të dytë të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë fitoi pa lojë ndeshjen me ekipin e dytë të Serbisë.
Në çerekfinale, Kosova e kaloi pa lojë ekipin e parë të Serbisë. Në gjysmëfinale Melirona e Yllka fituan 2:1 në sete ndaj ekipit të parë të Turqisë. Ndërsa në finale, po me 2:1, fituan ndaj ekipit të dytë të Turqisë.
Maqedonia e Veriut, Rumania, Turqia e Serbia janë prezantuar me nga dy ekipe, ndërsa Kosova me një në Ballkanikun U22 të volejbollit në rërë.
“Ishim të përgatitura mirë dhe kemi pritur rezultate. Këtë verë e kemi fituar kampionatin e Kosovës e më pas ishim edhe në Ballkanikun për seniorë. Vjet e fituam medaljen e bronztë dhe këtë vit ishim të vendosura të bëjmë hapin tutje. Atë edhe e kemi bërë”, ka thënë Melirona Avdullahu të hënën për KOHËN.
Ajo e Yllka Jashari menjëherë të hënën i janë bashkuar përfaqësueses U22 të Kosovës në volejboll. Por kanë ende sfida në volejbollin në rërë. Do të paraqiten më vonë këtë muaj në Evropianin U22 në Rumani e në shtator edhe në Lojërat Mesdhetare në plazh, në Heraklion të Greqisë.
Merilona ka treguar që ka katër vjet që paraqitet në garat serioze në volejbollin në rërë.
“Evropiani është garë e fortë, ndërsa priten 32 ekipe. Synojmë të kalojmë të paktën grupin”, ka thënë Merilona Avdullahu. Ajo e Yllka janë nga Ferizaj.
“Me volejbollistet e Serbisë kemi pasur raporte korrekte. Ne kemi dalë vazhdimisht për t’u përballur me to, por ato nuk kanë luajtur pasi nuk i lejon shteti. Në fakt ne ishim të interesuara të luajmë pasi kemi qenë të bindura se do të fitojmë”, ka thënë volejbollistja kosovare.
Melirona e Yllka gjatë verës luajnë volejboll në rërë, ndërsa prej shtatorit e deri në prill luajnë volejboll në palestër. Aktualisht janë pjesë e Kastriotit të Ferizajt. Pra, luajnë së bashku si te Kastrioti ashtu edhe te përfaqësueset e Kosovës. Për trajnere në volejbollin në rërë e kanë Vildane Jasharin.
Në Ballkanikun në Shtip u paraqit edhe ekipi i Kosovës në konkurrencën e djemve. U mposht nga Turqia. Edhe djemtë përballjet me Serbinë i fituan pa lojë.
Asociacioni Ballkanik i Volejbollit nuk ka kthyer përgjigje se pse po lejon qëndrimin antisportiv të federatës serbe për ngjarjet në volejboll në rërë. Nga Federata kosovare kanë thënë se serbët heqin dorë nga duelet me arsyetim mjekësor.
Melirona e Yllka nuk brengosen shumë për qëndrimin e serbëve. Ato u janë kthyer stërvitjeve me synim për suksese të tjera në sportin e rrjetës.