Proton Cable Prizreni ka udhëhequr për kohë të gjatë, por në fund pësoi humbje nga Trepça. Të dielën mbrëma në Prizren, skuadra vendase u mposht me rezultatin 71:68. Ndeshja i ka takuar xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Për Trepçën është fitorja e 12-të rresht në Superligë.
Katër minuta para fundit, Prizreni kishte epërsi prej 62:57. Më pas Prizreni ishte para me rezultat 64:59. Mitrovicasit u afruan në 64:63, kur mbetën 2:26 minuta deri në fund. 1:49 minuta para fundit, Kevin Capers shënoi për 65:64 në të mirë të Trepçës. Isaiah Kelly ktheu epërsinë e Prizrenit, 66:65, 1:21 minuta para fundit.
31 sekonda para fundit, Capers shënoi dy gjuajtje të lira për epërsinë 67:66 të mitrovicasve. Ivan Koleviq i Prizrenit më pas bëri gabim në pasim në nismë të aksionit dhe kështu ndeshja u vendos Capers rrëmbeu topin dhe më pas shënoi edhe dy gjuajtje të lira për 69:66 në të mirë të Trepçës. Në fund, Ty Cockfield i Prizrenit humbi gjuajtjen për tri pikë, përkatësisht për ta barazuar rezultatin. Trepça fitoi 71:68 për të vazhduar serinë impresive.
Kevin Capers ndeshjen e përfundoi me 17 pikë e tri kërcime. Më i miri te Trepça ishte Jordy Tshimanga me 18 pikë e 14 kërcime. Darnell Edge kontribuoi me 18 pikë e tri kërcime. Ndeshje për të harruar kishte Drilon Hajrizi, që nuk shënoi asnjë pikë. Ai në parket i kaloi 25 minuta, ndërsa kishte 11 tentime për të realizuar. Mikaile Tmushiq luajti 35 minuta dhe po ashtu mbeti pa pikë te mysafirët.
Isaiah Kelly ishte më i miri te Prizreni me 16 pikë e dhjetë kërcime. Cockfield i kishte 16 pikë, ndërsa Koleviq i realizoi dhjetë pikë.
Trepça udhëheq në tabelë me 36 pikë. Prizreni mbetet i parafundit me 24 pikë.