Basketboll

Trepça kthehet te fitorja

KB Trepça

Pas tri humbjeve rresht, Trepça është kthyer te fitorja.

Të dielën mbrëma në Prizren, në ndeshjen e fundit të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në basketboll, Trepça e mposhti Proton Cable Prizrenin me rezultatin bindës, 89:68.

Trepça e përfundoi çështjen e fituesit që në pjesën e parë. Çereku i parë përfundoi 22:14 për “xehetarët”, ndërsa i dyti 30:14.

Malik Johnson e Desmond Cambridge Jr udhëhoqën Trepçën.

Johnson i kishte 20 pikë, shtatë asistime e pesë kërcime. Cambridge Jr kontribuoi me 20 pikë, katër kërcime e dy asistime. Dardan Kapiti i kishte 12 pikë e tetë kërcime.

Te Proton Cable Prizreni, Jordan Johnson i kishte 21 pikë, tetë asistime e pesë kërcime. Wayne Arnold i realizoi 19 pikë.

Trepça në kampionat humbi nga Bashkimi e Sigal Prishtina, ndërsa më pas pësoi edhe nga Dijoni në FIBA Europe Cup.

Trepça tani ka tri fitore e dy humbje dhe me tetë pikë renditet e treta. Prizreni ka një fitore e katër humbje, bilanc të cilin e ka edhe Bora.