Emrat dhe fytyrat e yjeve të tenisit në Wimbledon nuk kishin rëndësi për Elena Rybakinan, kur ajo ishte fëmijë. Ishte madhështia e turneut që i bënte shumë përshtypje.
Të shtunën, Rybakina do ta ketë shansin që ta shkruajë emrin e vet në panteonin e më të mëdhenjve, në turneun më të vjetër dhe më prestigjioz të tenisit.
“Si fëmijë nuk e dija saktësisht kush ka qenë duke luajtur, por kur Wimbledoni ishte në televizor, ka qenë tradicionalisht me të bardhë. Kjo më kujtohet shumë mirë”, ka thënë Rybakina. “Dredhëza. Shampanjë. Ka qenë diçka shumë e bukur për ta parë”.
Rybakina është vetëm një meç larg triumfit në një turne “Grand Slam” për herë të parë. Ajo është në finalen e parë në ngjarje të madhe të tenisit.
Në të njëjtën pozitë është edhe kundërshtarja e saj, Ons Jabeur – lojtarja e parë arabe dhe afrikania e parë që arrin në këtë fazë në një prej katër turneve më të mëdhenj në tenis.
Jabeur, e cila është nga Tunizia, avancoi në finale duke e mposhtur tenisten Tatjana Maria me 2:1 në sete (6:2, 3:6, 6:1) të enjten.
Rybakina menjëherë pas saj në arenën me bar në “Centre Court” fitoi ndaj kampiones së vitit 2019, Simona Halep me 2:0 në sete (6:3, 6:3).
“Nuk e kam pritur që do të jem këtu në javën e dytë, veçanërisht në finale”, tha Rybakina, e cila u lind në Rusi por përfaqëson Kazakistanin. “Besoj se e kam një ndeshje të shkoj sa më larg në një Grand Slam. Natyrisht, unë besoj se ndoshta një ditë mund të fitoj”.
Finalja e këtij viti në Wimbledon do të vë përballë dy teniste që janë në këtë fazë për herë të parë në një Grand Slam. Kjo nuk ka ndodhur që prej vitit 1962. Karen Susman kishte fituar 2:0 në sete ndaj Vera Sukovas atëbotë.
Një fitore nga Rybakina apo Jabeur të shtunën do të sillte titullin e parë “Grand Slam” për shtetet të cilat ato përfaqësojnë.
Jabeur, e njohur në Tunizi si “Ministrja e Lumturisë” për shkak të natyrës së saj, e di se sa historik është rrugëtimi i saj tashmë në Wimbledon.
“Dua të shkojë edhe më lart, të inspiroj shumë gjenerata”, tha Jabeur. “Tunizia është e lidhur me botën arabe, është e lidhur me kontinentin e Afrikës. Kështu që unë dua të shoh lojtarë nga shteti im, nga Lindja e Mesme, nga Afrika”.
Jabeur ka qenë një prej tenisteve më të mira në muajt e fundit dhe është ngjitur në vendin e dytë në ranglistë, pasi e fitoi titullin në Berlin dy javë më parë. Rybakina është në vendin e 23-të dhe ka 13 fitore ndaj tenisteve të 20 vendeve të para në ranglistë.
Dhe në moshën 23-vjeçare, ajo është finalistja më e re e Wimbledonit që prej Garbine Muguruzas, e cila ishte 21-vjeçare në vitin 2015 kur u mposht nga Serena Williams.
Rybakina është dashur të përballet me disa pyetje në lidhje me nacionalitetin e saj. Ajo nisi karrierën duke përfaqësuar Rusinë, por e ndryshoi nacionalitetin në vitin 2018, dhe nisi ta përfaqësojë Kazakistanin.
Lojtarët nga Rusia dhe Bjellorusia nuk kanë pasur të drejtë për të garuar këtë vit në Wimbledon. Janë suspenduar për shkak të luftës që Rusia e nisi në Ukrainë.
“Ndiej keqardhje për lojtarët që nuk kanë mundur të vinin”, ka thënë Rubakina. “Por, unë jam duke u kënaqur këtu, në skenën më të madhe. Po kënaqem me kohën këtu dhe po mundohem ta bëj më të mirën”.