Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është e vendosur që t’i mbajë zgjedhjet për kryetar më 6 prill, ashtu siç kishte njoftuar. Në FFK insistojnë se nuk janë të njoftuar për përmbajtjen e vlerësimit të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Në përgjigjet që KOHA ka marrë të mërkurën nga FFK-ja thuhet se MKRS-ja të martën ka kërkuar informacione në lidhje me mbarëvajtjen e procesit për Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të caktuar më 6 prill. Por thuhet se nuk janë njoftuar edhe për opinion të Departamentit Ligjor, të cilin e publikoi KOHA të martën në mbrëmje. Në letrën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimit, që ia ka dërguar të martën pasdite FFK-së, shkruan se Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka respektuar Statutin e saj dhe ka shkelur Ligjin për Sport duke caktuar 6 prillin si datë të zgjedhjeve për kryetar. Këto shkelje i ka konstatuar Departamenti Ligjor i MKRS-së.
“Gjatë ditës së djeshme (e martë v.j.), FFK-ja ka marrë një kërkesë nga MKRS, me ç’rast janë kërkuar informacione nga FFK-ja në lidhje me mbarëvajtjen e procesit për Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të datës 6 prill 2022. Ndërsa ne nuk jemi të njoftuar për përmbajtjen e opinionit të Departamentit Ligjor. Si çdoherë, edhe për këtë çështje ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët kompetentë të MKRS-në dhe me kohë do të përgjigjemi në të gjitha pyetjet dhe kërkesat që kanë të bëjnë për informacione rreth mbarëvajtjes së Kuvendit të Rregullt Zgjedhor dhe çdo çështje tjetër. Në ditët në vijim, përveç MKRS-së, do të informohet edhe opinioni publik në lidhje me mbarëvajtjen dhe procedurat dhe përgatitjet për Kuvendin e datës 06 prill 2022”, thuhet në përgjigjen e FFK-së.
Në fakt, që prej njoftimit për mbajtjen e zgjedhjeve më 6 prill ka pasur reagime nga opozita e kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi. Është përsëritur shumë herë se është shkelur Statuti i FFK-së me thirrjen e Kuvendit Zgjedhorë më 6 prill. Por në FFK insistojnë se u janë përmbajtur Statutit dhe rregulloreve të FFK-së. Megjithatë, MKRS-ja të martën i është drejtuar FFK-së me një vlerësim. Kopjen që MKRS-ja ia ka dërguar FFK-së, e kishte siguruar KOHA.
“Ministria e Sportit, nisur nga debatet e fundit, me qëllimin e vetëm që të konstatojë përtej debateve bazën e argumenteve, ka kërkuar një interpretim ligjor të argumentuar nga Departamenti Ligjor i MKRS-së i cili, në përputhje me mandatin e tij ligjor është përgjegjës për të dhënë opinione dhe rekomandime ligjore nga fusha e përgjegjësisë administrative e ministrisë përkatëse. Sipas këtij opinioni/interpretimi të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Sportit, me veprimet e fundit për dhe rreth thirrjes së Kuvendit të Federatës së Futbollit nuk është respektuar Statuti i Federatës dhe po ashtu janë konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport. Duke dashur të kemi një vlerësim parimor dhe argumentues për këtë çështje, Ministria e Sportit, përmes kësaj shkrese, kërkon nga organet drejtuese ekzekutive të Federatës që të na ofrojë një informacion të detajuar përkitazi me veprimet procedurale të thirrjes së Kuvendit, si dhe të ofrohen vlerësimet përkatëse në lidhje me çështjet vendimtare në këtë rast, nëse me mënyrën e aplikuar të thirrjes së Kuvendit të FFK-së ka ndodhur shkelje e Statutit apo jo”, thuhej ndër të tjera në letrën e dërguar nga zyra e sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.
KOHA të mërkurën i është drejtuar edhe zyrës për media të MKRS-së, por që nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.