Federata e Futbollit e Kosovës të premten njoftoi edhe zyrtarisht se nuk do të ketë bileta në shitje për duelin me Greqinë.
Lajmi është rikonfirmuar një ditë më pas.
Ndeshja Kosovë – Greqi zhvillohet të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe është e rëndësishme për kualifikim në Kupën e Botës “Katari 2022”.
Vetëm 10% e kapacitetit të stadiumit mund të mbushet me shikues. FFK-ja ka njoftuar se në stadium do të jenë vetëm tifozët e Kosovës, “Dardanët”.
“Në këtë 10% hyjnë stafi organizativ, tifozëria “Dardanët”, ekipet e të dyja kombëtareve dhe protokolli i shtetit. Po ashtu ritheksojmë se nuk ka bileta në shitje, ato të cilat do të shfrytëzohen për të lartpërmendurit do të jepen falas. Të gjithë ata të cilët pajisen me bileta falas kërkojmë të jenë të përgjegjshëm dhe të mos i keqpërdorin ato. Ju ftojmë të gjithëve që të keni kujdes dhe të mos bini pre e mashtrimeve, pasi nuk ka bileta në shitje. Në rast se keni njohur për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, ju lusim që t’i denonconi në policinë e Kosovës”, shkruhet ndër të tjera një njoftimin e FFK-së në faqen zyrtare.
Pjesëmarrësit në stadium duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit për vaksinën e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se personi e ka kaluar COVID-19, testin e shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë. Këto janë disa prej rregullave për ta parë ndeshjen nga afër.
Nga FFK-ja bëhet thirrje që të mbahen maskat dhe distanca, në të kundërtën FFK-ja dënohet nga UEFA dhe personat që shkelin këto rregulla largohen nga stadiumi.
Biletat do të bëjnë të mundshme lëvizjen e lirë pas ndeshjes, si dëshmi gjatë orës policore.