Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka marrë garanci nga drejtues të Federatës së Futbollit të Spanjës që ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare. Kështu të paktën shkruan në një njoftim të Federatës së Futbollit të Kosovës, të publikuar të mërkurën pasdite.
Federata spanjolle i është referuar Kosovës si territori i Kosovës në një njoftim të lëshuar të martën. Por, i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi, është i bindur se ndeshja do të zhvillohet në kushte të zakonshme.
“Gjatë ditës së sotme, presidenti Agim Ademi, e ka pranuar një telefonatë nga Federata e Futbollit e Spanjës. Me këtë rast RFEF ka shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme dhe ka konfirmuar se ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare. Po ashtu, Federata e Futbollit e Spanjës ka shprehur mikpritjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja. Në anën tjetër presidenti Ademi shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës dhe shprehu bindjen e tij se do të zhvillohen dy ndeshje shumë të mira si në Sevilla po ashtu edhe në Kosovë. Presidenti Ademi përmes telefonit bisedoi edhe me zyrtarët e UEFA-s. Këta të fundit e kontaktuan atë për ta sqaruar situatën e krijuar së fundmi dhe ia konfirmuan se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
-
FFK-ja i drejtohet UEFA-s për Federatën e Spanjës
-
FFK-ja i garanton Rumanisë siguri në Prishtinë
-
Kosova mirëpret Spanjën, Ademi: Janë të lirë si në shtëpinë e tyre
-
Agim Ademi tregon se si do të pritet Spanja në Kosovë
-
Ademi për “Tutto Sport”: Spanja duhet të respektojë vlerat tona, Serbinë e presim në Prishtinë