Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pasi Federata Spanjolle në faqen zyrtare shkroi se ka ndeshje me “territorin e Kosovës” e jo me Kosovën.
Kosova U21 luan sot me Spanjën U21 në kualifikimet për Evropianin 2027 që mbahet në Shqipëri e Serbi.
Në një letër të dërguar UEFA-s, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e ka quajtur të papranueshme shkrimin që e bëri Federata Spanjolle e futbollit.
Ndër të tjera, FFK-ja ka kërkuar nga UEFA një reagim të menjëhershëm për këtë situatë.
“Federata e Futbollit e Kosovës përmes një shkrese nga presidenti Agim Ademi drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan ka paraqitur notë proteste ndaj veprimit të papranueshëm të Federatës Spanjolle të Futbollit, e cila në komunikimet e saj zyrtare në prag të ndeshjes kualifikuese për Evropianin 2027, Kosovë-Spanjë, iu referua Kosovës si ‘territori i Kosovës’. Për fat të keq, nuk është hera e parë që përballemi me një sjellje të tillë nga Federata e Futbollit të Spanjës dhe ne e konsiderojmë këtë plotësisht të papranueshme. Prandaj, kërkojmë nga UEFA një reagim të qartë dhe të menjëhershëm për këtë çështje, si dhe një korrigjim publik dhe pranim zyrtar nga Federata e Futbollit të Spanjës, duke e pranuar se veprimet e tyre ishin të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të UEFA-s”, shkruan në njoftimin e FFK-së.