Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mohuar mundësinë që FFK-ja mos të pres mirë përfaqësuesen e Spanjës në futboll.
Kosova luan me Spanjën të mërkurën në “Fadil Vokrri”. Delegacioni spanjoll të martën udhëton për në Prishtinë, ndërsa gazeta spanjolle “Sport” ka shkruar të hënën se Kosova ka ende hesape të hapura me Spanjën, duke iu referuar prezantimit jo të denjë që i kanë bërë Kosovës autoritet spanjolle për ndeshjen në Sevilla.
Sipas kësaj gazete, FFK-ja ka nisur me pengesa ndaj spanjollëve, duke limituar numrin e akreditimeve. Madje gazeta spanjolle ka bërë pyetje nëse pritja për delegacionin spanjoll do të jetë e duhura në Kosovë. Ademi ka folur për KOHËN për këtë çështje dhe ka thënë se FFK-ja do të jetë nikoqire shembullore, si gjithnjë deri më tani.
“FFK-ja po bën përgatitjet për të organizuar ndeshjen me Spanjën në mënyrë shembullore. Ne shquhemi si nikoqirë të mirë dhe kështu do të jetë edhe ndaj Spanjës”, ka thënë Agim Ademi të hënën mbrëma. Ai ka folur edhe për pretendimet se FFK-ja nuk ka akredituar gazetarët spanjollë. “Të gjitha kërkesat që kanë ardhur nëpërmjet federatës spanjolle janë pranuar, pra janë akredituar”, ka shtuar i pari i FFK-së.
FFK-ja të hënën njoftoi se ka pranuar falënderim nga Federata e Futbollit të Greqisë për mikpritjen e ngrohtë ndaj përfaqësueses greke.
Kosova e Greqia u takuan të dielën në “Fadil Vokrri” dhe ndeshja përfundoi 1:1. Federata spanjolle dhe mediumet publike spanjolle vazhdojnë të mos i referohen Kosovës në mënyrë të drejtë.