Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se kombëtarja e Spanjës në futboll është e mirëpritur në Kosovë e se spanjollët do të ndihen të lirë si në shtëpinë e tyre.
Një ditë para takimit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, Ademi ka thënë se pret që tifozët “Dardanë” të tregojnë anim korrekt.
Spanjollët tashmë janë nisur për në Kosovë.
“Sot kam kënaqësinë t’i dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës ekspeditës së Kombëtares së Spanjës në krye me presidentin e Federatës Spanjolle, Luis Rubiales, i cili njëherësh është edhe zëvendëspresident i UEFA-s. Spanja është njëra prej ekipeve më të mira në Evropë dhe në botë dhe do të jetë e mirëpritur në Kosovë, ku ndërvite ka pasur shumë fansa në vendin tonë për lojën dhe karakterin e treguar në fushën e gjelbër. Ata do të ndihen të lirë dhe si në shtëpinë e tyre. Po ashtu, besoj se ‘Dardanët’ e paktë që do ta ketë fatin ta shohin këtë ndeshje në stadium por edhe të gjithë ata të cilët do të jenë para ekraneve televizive do të kënaqen me lojën që do të shfaqet nga të dyja kombëtaret. Me këtë rast edhe një herë i kërkoj opinionit që të kenë mirëkuptim për situatën pandemike dhe për numrin e vogël të shikuesve, pasi edhe këtë herë në bazë të masave të qeverisë vetëm 10 përqind e kapacitetit të stadiumit do të jetë i shfrytëzueshëm dhe duhet ta respektojmë në përpikëri protokollin e UEFA-s, e këtu janë të përfshirë të gjithë pjesëmarrësit e ndeshjes, ekspedita e ekipeve, stafi organizativ, zyrtarët dhe tifozët ‘Dardanët’, përkrahja e të cilëve si asnjëherë më shumë i duhet Dardanëve tanë në fushë në mënyrë që eventualisht ta shkruajmë historinë në ndeshje me Spanjën. Gjithashtu, i ftoj tifozët ‘Dardanët’ për një anim korrekt por njëherësh edhe të zjarrtë, pasi ata nesër duhet të jenë lojtari ynë i 12-të. Edhe një herë mirëseardhje e ngrohtë për presidentin Rubiales dhe ekipin e tij”, ka thënë Agim Ademi në mesazhin e mirëseardhjes për Spanjën.
Kosova e Spanja takohen të mërkurën në mbrëmje në kuadër të eliminatoreve për Botëror. Të dyja janë pjesë e Grupit B. Spanja prin në grup me 10 pikë, ndërsa Kosova është e treta me katër. Në ndeshjen e parë, Spanja pati fituar 3:1.
Ndeshja ka zgjuar interesim edhe më të madh për shkak se Spanja nuk e njeh Kosovën shtet e se autoritet zyrtare të Spanjës kanë vazhduar me trajtim jo të barabartë të Kosovës sa i takon prezantimit. E njëjta ka ndodhur me mediat spanjolle që shmangin maksimalisht përmendjen e Kosovës.
-
Agim Ademi tregon se si do të pritet Spanja në Kosovë
-
Ademi për “Tutto Sport”: Spanja duhet të respektojë vlerat tona, Serbinë e presim në Prishtinë
-
FFK: Ademi merr garanci nga spanjollët se ndeshja do të luhet konform rregulloreve të FIFA-s e UEFA-s
-
FFK-ja, e hapur që ndeshja e parë me Spanjën të luhet në terren neutral
-
Ademi konfirmon që Kosova mund të luajë me Andorrën