Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se në Kosova është vend i sigurt. Ai të mërkurën ka zhvilluar një takim me kryetarin e Federatë së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu dhe i ka garantuar siguri përfaqësueses dhe shikuesve të Rumanisë.
Ademi reagoi vetëm pas interesimit të KOHËS për të marrë përgjigje nga FFK-ja në lidhje me shqetësimet e ngritura nga presidenti Burleanu. Burleanu ka deklaruar të martën në një konferencë për shtyp se është i brengosur për situatën në veri të Kosovës dhe për këtë arsye ekziston mundësia që përfaqësuesja e Rumanisë nuk do të përkrahet nga tifozët në tribuna të stadiumit. Por Ademi ka thënë u garantohet siguria sipas rregullave dhe protokolleve të UEFA-s.
“Në kuadër të takimeve në UEFA, sot zhvillova një bashkëbisedim me presidentin Burleanu dhe e sigurova se gjendja në Prishtinë është në rregull dhe nuk ka asnjë lidhje me pasigurinë. Ne si federatë, bashkë me institucionet shtetërore, do të marrim masat e nevojshme për të siguruar që ekspedita e Kombëtares së Rumanisë dhe tifozët e tyre të ndihen të sigurt gjatë qëndrimit në Kosovë, ashtu siç kujdesemi për çdo ekip tjetër. Kosova, në këtë drejtim, e ka dëshmuar organizimin dhe mikpritjen e jashtëzakonshme për të gjitha ekipet dhe tifozëritë e tyre”, ka shkruar Ademi në Facebook.
“I shpreha presidentit Razvan Burleanu mirëseardhje në Kosovë dhe i premtova se do ta kenë pritjen dhe sigurinë sipas të gjitha rregullave dhe protokolleve të UEFA-së”.
Ndeshja në mes të Kosovës dhe Rumanisë do të luhet më 16 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon grupit I kualifikues për Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Kosova më pas, më 19 qershor takohet me Bjellorusinë në Budapest të Hungarisë.
-
Ademi për KOHËN: Besoj se do të jemi në vendin e parë
-
Kreu i federatës rumune thotë se UEFA do ta gjobitë edhe Kosovën
-
Reagon kreu i FFK-së, paralajmëron ankesë edhe në CAS
-
Federata rumune me rekomandime për tifozët që udhëtojnë në Kosovë
-
Për shkak të situatës në veri, tifozëve rumunë pritet t’u ndalohet ardhja në Prishtinë