Peshëngritësit e Shqipërisë kanë vazhduar me paraqitje të mira në Kampionatin evropian, që po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë.
Të enjten medalje siguroi Krenar Shoraj, që fitoi të bronztën në stilin e shtytjes në kategorinë deri 89 kilogramë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në të vërtetë nga Shoraj është pritur edhe më shumë, që të paktën të fitojë medalje në total. Por ka përfunduar garimin me vend të tretë në njërin prej dy stileve. Ai në total u rendit i gjashti, pasi në stilin e shkëputjes u rendit vetëm i teti.
Shoraj është i treti garues i Shqipërisë që siguroi medalje. Briken Çalja të martën fitoi vendin e dytë në total në kategorinë deri 73 kilogramë. Ai doli i pari në njërin stil e i treti në tjetrin. Erkand Qerimaj të mërkurën po ashtu fitoi medalje bronzi në njërin stil, në kategorinë deri 81 kilogramë. Shqipëria do të përfaqësohet edhe me Endri Karinën, që garon të shtunën.
Në Evropian është paraqitur edhe Kosova, me dy garues. Arbnor Krasniqi garoi të mërkurën në kategorinë deri 81 kilogramë dhe përfundoi i fundit (25) në stilin e parë. Ngriti peshën prej 95 kilogramëve, ndërsa i parafundit ngriti 115 kilogramë. Kampioni ngriti 162 kilogramë.
Edhe në stilin e dytë, Krasniqi ishte i fundit me 120 kilogramë të ngritur. I parafundit ngriti lart 147 kilogramë. Pas Krasniqit mbeti vetëm Daniel Godelli, që nuk pati provë të suksesshme. Në vijë me rezultatet e Krasniqit ishin edhe ato të peshëngritëses Leonora Brajshori.