Sport

E turpshme, Kosova nuk ka stadium për ndeshjen evropiane të Ballkanit

Gjashtë vjet pasi përfaqësuesja e Kosovës në futboll u përshëndet me stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, kampioni kosovar do të detyrohet të largohet nga shteti për të luajtur ndeshje evropiane. Konfederata Evropiane e futbollit të premten vendosi që ndeshja Ballkani – Viktoria Plzen të zhvillohet në “Air Albania”, në Tiranë.

Ballkani i Suharekës kishte planifikuar që ndeshjen e së enjtes së ardhshme ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku i ka luajtur deri më tani të gjitha ndeshjet evropiane si vendase. Por fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk i plotëson kushtet për ndeshje të nivelit të tretë të garave evropiane për klube të futbollit. Klubi suharekas është dashur të kërkojë alternativë tjetër dhe ka vendosur për stadiumin gjigant në Tiranë.

“Për shkak të kushteve të përkeqësuara të fushës pas ndeshjeve të fundit, ndeshja e radhës e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës ndërmjet Ballkanit dhe Viktoria Plzenit është zhvendosur nga stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë. Ndeshja do të zhvillohet të enjten prej orës 18:45”, ka njoftuar UEFA të premten.

Kosova – Ukraina ishte ndeshja e fundit që përfaqësuesja e luajti si nikoqire në Shkodër. Ajo ndeshje ishte zhvilluar më 6 tetor të vitit 2017 dhe iu takonte eliminatoreve për Botërorin 2018. Atëbotë Kosova nuk e kishte asnjë stadium që i plotësonte kushtet për ndeshje të përfaqësueseve. Dhe rrjedhimisht të gjitha ndeshjet si vendase të atij cikli ishin luajtur në Shkodër. Stadiumi në Prishtinë ishte në proces të rinovimit dhe mendohej që për pak vjet, Kosova do të ketë të paktën dy stadiume që plotësonin kushtet për ndeshje evropiane. Madje pretendohej edhe për më shumë stadiume.

Por tani Kosova është në gjendje që të mos ofrojë asnjë stadium ku Ballkani i Suharekës do të mund të luante ndeshje të rëndësishme të Ligës së Konferencës. Kjo është vlerësuar e papranueshme, e madje edhe e turpshme.

“Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm në vend ku luhen ndeshjet ndërkombëtare në nivelin e të rriturve. Në Podujevë së fundi janë luajtur dy ndeshje të Kosovës U21 e më parë edhe të kategorive më të reja.

Stadiumi në Prishtinë ka shumë kohë që është i stërngarkuar. Dhe gjendja e fushës është larg asaj që duhet të jetë. Në javët e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” janë luajtur shumë ndeshje ndërkombëtare dhe fusha është dëmtuar shumë. Aq shumë sa Ballkani nuk mund të luajë të enjten e ardhshme.

Përfaqësuesja e Kosovës ka luajtur dy ndeshje këtë muaj në “Fadil Vokrri”. I priti Izraelin dhe Bjellorusinë. Të dy përfaqësueset u ankuan për gjendjen e fushës. Një lojtar i Izraelit e krahasoi fushën me stallë derrash.

Stadiumi është rindërtuar kryesisht me para të buxhetit të shtetit. Është në pronësi të Komunës së Prishtinës, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës e ka nën menaxhim. Por FFK-ja ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për gjendjen e fushës, ndonëse kur e kishte lidhur marrëveshjen me Komunën ishte pajtuar që të kujdeset për mirëmbajtje. FFK-ja ka kërkuar ndihmën e shtetit për t’i mirëmbajtur fushën e stadiumin, ndonëse këtë përgjegjësi e kishte pranuar vetë.

Nga FFK-ja nuk ka ndonjë deklarim lidhur me gjendjen në të cilën erdhi Ballkani. Nuk janë deklaruar as nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo ministri vlerësohet se ka përgjegjësi që Kosova e ka vetëm një stadium për ndeshje ndërkombëtare dhe atë aktualisht në gjendje të papranueshme. Rinovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë ka vjet që ka ngecur.

Te Ballkani janë munduar të qëndrojnë pozitivë pavarësisht situatës së krijuar.

“Duke qenë se jemi skuadra e vetme shqiptare që luajmë në Evropë, mbështetje të madhe vazhdimisht kemi edhe ashtu nga të gjitha trojet. Andaj kjo ndeshje në Tiranë do të jetë mundësi për shumë tifozë nga Shqipëria që të na ndjekin nga afër. Përbërja e Ballkanit është një kombinim i futbollistëve nga shumë vise shqiptare, e tillë është edhe vetë Kombëtarja që u kualifikua për Evropian, andaj ky duel në ‘Air Albania’ do të jetë i veçantë, sepse luajmë aty ku u arrit suksesi historik i Shqipërisë”, ka thënë Kushtrim Reshitaj, zëdhënës i Ballkanit.

Derisa Plzeni e ka siguruar vendin e parë në grup dhe rrjedhimisht kalimin në fazën nokaut, Ballkani është në kërkim të këtij suksesi, që do të ishte historik. Për këtë arsye ndeshja e së enjtes është me shumë rëndësi.

Plzeni udhëheq në Grupin C me 12 pikë. Astana e Ballkani kanë nga katër pikë, ndërsa Dinamo Zagrebi i ka tri. Kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u luajtur. Më 14 dhjetor, Ballkani luan në Zagreb ndaj Dinamos.

Te klubi çek, Plzen, nuk e kanë pritur shumë mirë vendimin e UEFA-s për zhvendosjen e ndeshjes në Tiranë.

“Jemi të vetëdijshëm që ky lajm nuk është i mirë për tifozët, por si klub nuk kishim dorë në vendim“, ka thënë zëdhënësi i Viktoria Plzenit, Vaclav Hanzlik.

Ballkani deri më tani ka luajtur në Prishtinë për shkak se stadiumi i tij në Suharekë është larg gjendjes që t’u afrohet standardeve të kërkuara nga UEFA. Kjo është tjetër dëshmi që gjendja me infrastrukturën sportive në vend është shumë e keqe, me gjithë investimin e milionave dhe mburrjen e vazhdueshme të përgjegjësve në FFK dhe MKRS.