Sport

Daja kërkon përkrahje masive për Ballkanin në stadiumin simbol të shqiptarëve

“Nëse stadiumi do të jetë i mbushur, besoj se do të jetë një motiv shumë i madh për gjithë ne për ta dhënë maksimumin. U bëj thirrje sportdashësve të vijnë në numër sa më të madh për të na përkrahur dhe për t’u dhënë motiv shtesë lojtarëve në fushë”, ka thënë Ilir Daja, trajner i Ballkanit. Daja kthehet në qytetin e lindjes për ndeshjen e së enjtes ndaj Viktoria Plzenit

Javën e kaluar stadiumi “Air Albania” ishte i mbushur me shqiptarë që vinin nga anë të ndryshme. Në stadiumin e bukur në Tiranë pati festë të madhe për kualifikimin e Shqipërisë në Evropianin 2024.

Dyert e stadiumit “Air Albania” do të hapen sërish këtë javë për një ndeshje ndërkombëtare. Të enjten kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, do ta zhvilloj ndeshjen më të rëndësishme në Ligën e Konferencës. Në “Air Albania”, Ballkani e pret liderin e Grupit C, Viktoria Plzenin.

Ballkani është në vendin e tretë me katër pikë nga katër ndeshje, sa i ka edhe Astana e Kazakistanit. Dinamo Zagrebi është i fundit me tri pikë.

Derisa Plzeni e ka siguruar vendin e parë në grup dhe rrjedhimisht kalimin në fazën nokaut, Ballkani është në kërkim të këtij suksesi, që do të ishte historik. Për këtë arsye ndeshja e së enjtes është me shumë rëndësi.

Për të mbajtur ende gjallë shpresat për kalim në fazën nokaut, Ballkanit i duhet fitorja. Për ta fituar ndeshjen kundër Plzenit, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka bërë thirrje për përkrahje masive nga shqiptarët.

“Pak ditë më parë në stadiumin ‘Air Albania’, Kombëtarja e Shqipërisë u kualifikua në Evropian dhe tani ka radhën të paraqitet në atë stadium Ballkani, që përfaqëson mbarë shqiptarinë. Prandaj do të ishte bonus edhe nga ana psikologjike të vinin për të na mbështetur dhe për të vazhduar drejt sukseseve edhe një ekip me shqiptarë. U bëj thirrje gjithë sportdashësve të jenë të pranishëm në këtë ndeshje të rëndësishme, në një stadium simbol të shqiptarëve”, ka thënë Ilir Daja të hënën për KOHËN.

Ballkani të martën do të niset drejt Tiranës ku do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen ndaj skuadrës çeke.

Skuadra nga Suhareka kishte planifikuar që ndeshjen e së enjtes ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku i ka luajtur të gjitha ndeshjet evropiane si vendase. Por fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” është shumë e dëmtuar dhe nuk i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare. Stadiumi është mbyllur, ndërsa fusha do të rinovohet plotësisht. Stadiumi në Prishtinë nuk pritet të hapet deri në verën e vonshme të vitit të ardhshëm.

Kështu Ballkani është detyruar të zhvendoset në Tiranë për ndeshjen e fundit si vendase në grupe. Nëse eventualisht e kalon grupin, kampioni kosovar do të luajë në Tiranë edhe ndeshjet si vendas të fazës nokaut.

“Ne u zhvendosëm nga Prishtina në Tiranë për shkak të gjendjes së fushës, por mendoj se përkrahja nuk do t’i mungonte, jo vetëm neve, por asnjë skuadre tjetër shqiptare që do ta përfaqësonte futbollin mbarëshqiptar. Për herë të dytë përfaqësojmë futbollin shqiptar në garat evropiane. Dhe duke ditur që është një ndeshje ku për kundërshtar kemi Viktoria Plzenin, që ka katër fitore dhe që kryeson grupin, edhe ne do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin. Dhe nëse stadiumi do të ishte i mbushur, besoj se do të ishte një motiv shumë i madh për gjithë ne për ta dhënë maksimumin. U bëj thirrje të vijnë në numër sa më të madh sportdashësish për të na përkrahur dhe për t’u dhënë motiv shtesë lojtarëve në fushë”, është shprehur Daja, që kthehet në qytetin e lindjes për ndeshjen e së enjtes.

Ballkani në radhët e tij ka shumë lojtarë që janë nga Shqipëria. Madje ata janë me shumë ndikim në klubin kampion të Kosovës.

“Në këtë përballje nuk është se kemi gjithë kontingjentin në dispozicion. Kjo nuk është pjesë e justifikimit, sepse asnjëherë nuk jemi justifikuar, por besoj se të gjithë djemtë që do të futen në ndeshje, duke parë se përballë kemi Viktoria Plzenin, do ta japin maksimumin, ashtu siç e kanë bërë gjatë gjithë këtyre dy vjetëve me shumë krenari dhe cilësi brenda këtyre ndeshjeve. Njëjtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe ndaj Viktoria Plzenit, skuadrës së parë në grupin tonë”, ka thënë Daja.

Ballkani është skuadra e vetme shqiptare në fazën grupore të kupave evropiane. Tani në Tiranë do ta kërkojë hapin e madh drejt një suksesi tjetër historik.