Lideri i Grupit A në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, Dukagjini, që nga 28 janari po e kryen fazën e fundit të përgatitjeve në Antalia të Turqisë. Ekipi nga Klina, së bashku me Malishevën, janë dy ekipet e vetme nga kategoria e dytë e futbollit kosovar që po përgatiten në qytetin bregdetar turk për stinorin pranveror. Të dyja këto skuadra synojnë inkuadrimin në Superligë dhe ndajnë dy pozitat e para në tabelë me pikë të barabarta – 24 sosh.
Deri me tani, Dukagjini i ka zhvilluar dy ndeshje miqësore në Antalia. Ka pësuar humbje nga Fakel Voronezhi (4:2), ekip që bën gara në ligën e dytë të futbollit të Rusisë. Dy gola për klinasit i shënoi Mark Milicaj. Ndërkaq, në ndeshjen e dytë të luajtur të mërkurën, Dukagjini triumfoi ndaj ekipit të kategorisë së dytë të Sllovakisë, Partizan Bardejov 1:0. Golin e fitores e realizoi Abedin Merlaku. Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ndeshjet në Antalia i vlerëson si historike për ekipin e tij. Ai insiston se këto ndeshje u shërbejnë lojtarëve të fitojnë përvojë.
“Për ekipin e Dukagjinit janë ndeshje historike, duke e pasur parasysh që thuajse për 95 për qind e ekipit është hera e parë që luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Kështu që, përveç kënaqësisë që po përjetojnë djemtë, njëkohësisht po fitojnë edhe përvojë. Ne si staf jemi të kënaqur deri në këtë fazë dhe shpresoj që t’i përfundojmë përgatitjet pa ndonjë telashe me lëndimet dhe të kthehemi në Klinë me shëndet të plotë”, tha Dallku. “Jemi tashmë disa ditë në Antalia të Turqisë, ku po e kryejmë fazën e përgatitjeve. Gjithçka po shkon shumë mirë. I kemi luajtur edhe dy ndeshje miqësore, një e kemi fituar, kurse një e kemi humbur. Në përgjithësi jam i kënaqur me punën që po bëhet. Po punojmë shumë në të gjitha aspektet, si në organizim, në avancim të lojtarëve të rinj e po ashtu që ekipi të arrijmë objektivin që ka, inkuadrimin në Superligë”.
Dallku e ka parasysh se gara për inkuadrim në Superligë nuk do të jetë e lehtë. Dukagjini edicionin e shkuar ishte pjesë e elitës së futbollit kosovar, por nuk mbijetoi. Kështu që, Dallku premton punë dhe angazhim të madh për ta kthyer Dukagjinin në Superligë.
“Konkurrenca është e fortë. Çdo ekip i ka pretendimet e veta, mirëpo ne do të punojmë pa pushim, në mënyrë që t’i realizojmë synimet tona që kemi dhe t’ua dhurojmë tifozëve në Klinë dhe më gjerë kënaqësinë e të qenët në Superligë”, u shpreh Dallku. “Klubi ka bërë maksimumin për të na ofruar kushte maksimale për punë dhe si rezultat i punës së klubit kemi arritur që të vijmë në Turqi për fazën përgatitore”.
Skuadra nga Klina është përforcuar në afatin kalimtar të janarit me Donat Hasanin, Rinor Kuqin e Vildan Kerimin, kurse ka rikthyer Jeton Dushin, Leorant Marmullakun dhe Labinot Jashanicën. Dallku pret që sa më shpejt lojtarët ta kuptojnë filozofinë e lojës dhe ta ndihmojnë ekipin për t’i arritur synimet.
“Me përforcime jemi të kënaqur deri më tani, sepse janë adaptuar mjaftë mirë, edhe si rezultat i atmosferës së mirë që mbretëron në ekip. Presim që ta kapin sa më shpejt filozofinë e stërvitjeve, e posaçërisht të ndeshjeve, që ta kenë më të lehtë edhe adaptimin në fushë”, përfundoi Dallku.
Inkuadrimin direkt në Superligë e siguron skuadra që përfundon në pozitën e parë në Gripin A, e po ashtu edhe ekipi i parë i Grupit B. Ndërkaq, vendet e dyta të të dyja grupeve do të luajnë në barazh dhe fituesi përballet me ekipin që renditet i teti në Superligë në fund të kampionatit. Fituesi i këtij dueli do të inkuadrohet në Superligë në edicionin 2021/2022.