Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, është i vetëdijshëm se disa prej lojtarëve të tij u mungon përvoja ndërkombëtare. Përvoja në garat evropiane i mungon edhe ekipit nga Klina. Por Dallku insiston se futbollistëve të Dukagjinit nuk u mungon dëshira për fitore, përkatësisht për debutim të suksesshëm në kupat evropiane.
Ish-futbollisti me përvojë të madhe ndërkombëtare, Dallku, ka kërkuar nga lojtarët e tij të kenë kujdes në ndeshjen debutuese në Europë.
Dukagjini të enjten debuton në garat evropiane, përkatësisht në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Nga ora 19:00 e pret në “Fadil Vokrri” skuadrën nga Gjibraltari, Europa.
“Jemi për herë të parë si klub në gara evropiane. Është emocion i veçantë dhe kërkohet kontrollim i emocioneve. Duke pasur parasysh që shumica e lojtarëve paraqiten për herë të parë në gara evropiane, duhet të kemi kujdes pasi loja mund të dalë nga kontrolli dhe mund të ndëshkohemi. Në këtë drejtim kemi punuar me ekipin shumë”, ka thënë Dallku të mërkurën.
Në edicionin 2018/19, Dallku e pati eliminuar Europan si futbollist i Prishtinës, në rundin parakualifikues të Ligës së Evropës. Atëbotë Dallku ishte kapiten i Prishtinës. Ishte edicioni i tij i fundit si futbollist.
Dallku thotë se nga ajo kohë skuadra e Evropës ka bërë shumë ndryshime.
“Jemi mundur të analizonim në detaje kundërshtarin, për të cilin kemi pasur nga e kaluara informacion. Por, nga ajo e kaluar ka bërë shumë ndryshime, duke filluar nga stafi i trajnerëve dhe lojtarëve. Neve na mbetet ta bëjmë punën tonë si është më së miri dhe pres nga lojtarët t’i zbatojnë brenda fushës ato që i kemi stërvitur, për ta bërë krenar jo vetëm klubin, por gjithë Kosovën”, është shprehur Dallku.
Dukagjini siguroi Evropën nga pozita e katërt në Superligë, pasi fituesja e Kupës, Prishtina, nuk u licencua nga FFK-ja për garat e UEFA-s.
Përballja me skuadrën nga Gjibraltari është vlerësuar si “fat në short” për Dukagjinin.
Trajneri i Dukagjinit megjithatë porosit lojtarët të mos e nënvlerësojnë skuadrën Europa.
“Duhet ta respektojmë kundërshtarin, të mos e nënvlerësojmë, por gjithnjë duke respektuar veten dhe të vendosur t’ia dalim ndaj Europas”, është shprehur Dallku.
Skuadra nga Klina më herët është përforcuar me Iran Juniorin dhe Dren Fekën.
“Duhet të kemi durim, pasi durimi është ajo që të bën komod. Nuk jemi duke luajtur turne, por janë ndeshje direkte dhe duhet bërë maksimumin, sidomos në ndeshjen që e kemi në shtëpi. Durimi do të jetë ai që na jep rezultatin më të merituar. Duhet të kemi siguri, besim dhe vlerësim maksimal ndaj vetvetes. U kam thënë gjithmonë që ta vlerësojnë veten, nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë veten, por duhet respektuar veten e pastaj kundërshtarin, pavarësisht se kush është ai. Duhet të kemi besim se mund ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Dallku.
Në rast se e eliminon Europan, Dukagjini në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të përballet me Rjekën e Kroacisë.