Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kapiteni i Dukagjinit, i lumtur për suksesin historik

Kapiteni i Dukagjinit, Elton Basriu, është ndarë shumë i kënaqur me debutimin historik të skuadrës nga Klina, me kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.

Qendërmbrojtësi Basriu ka thënë për KOHËN të enjten pas ndeshjes, se ndeshja ishte shumë e vështirë, por suksesi u arrit falë grupit që pati besim te njëri-tjetri.

“Jam shumë i lumtur që kam pasur fatin të jem kapiten i kësaj gjenerate që ka bërë histori tanimë. Dua t’i falënderoj të gjithë, duke filluar nga presidenti, shtabi teknik, tifozët dhe qytetarët e Klinës për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithashtu një falënderim i veçantë shkon për secilin lojtar që kanë dhënë çdo gjë nga vetja, që ne ta arrijmë këtë sukses”, është shprehur Basriu fillimisht.

Dukagjini fitoi 3:2 në Gjibraltar, në udhëtim te skuadra e FC Europas. Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë fitoi 2:1, dhe kaloi tutje në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, me rezultatin e përgjithshëm, 5:3. FC Europa më shumë mbështetej në forcën fizike, por edhe kjo u kalua nga skuadra klinase.

“Normalisht, çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Edhe kjo ndeshje ishte shumë e vështirë dhe me shumë duele. Për më shumë, edhe fusha na vështirësoi shumë punët për shkak se ishte artificiale dhe temperaturat ishin shumë të larta”, deklaroi Basriu.

Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Dukagjini do të luajë me Rijekën e Kroacisë. Ndeshjen e parë e zhvillon më 27 korrik në udhëtim, ndërsa dueli kthyes zhvillohet më 3 gusht, në Prishtinë.