Sport

Drita në kërkim të tri pikëve ndaj Dukagjinit

Pas barazimit në xhiron e parë të Superligës së Kosovës në futboll, skuadra e Dritës është e vendosur për të arkëtuar pikët e plota në shtëpi. Vikendin e shkuar Drita barazoi 2:2 si mysafire e Trepçës ’89, ndërsa në xhiron e dytë përballet me Dukagjinin. Ndeshja Drita – Dukagjini zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në Gjilan, përkatësisht në stadiumin me bar sintetik.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, të premten ka thënë se ekipi i tij është maksimalisht i përgatitur për duelin me Dukagjinin, të cilin kërkon edhe ta fitojë.

Për dallim prej Dritës që mori pikë në hapje të edicionit të ri, Dukagjini pësoi humbje në shtëpi nga skuadra e Prishtinës (2:1).

Trajneri Nuhiu ka vlerësuar lart kundërshtarin, por ka thënë se ekipi i tij synon pikët e plota.

“Kishim kohën e mjaftueshme për ta analizuar kundërshtarin, në veçanti mënyrën se si paraqitet në vijën e parë të sulmit. Gjithashtu jemi munduar të gjejmë pikat e dobëta, të gjejmë hapësirat për t’i shfrytëzuar. Kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar dhe do të mundohemi që planin tonë të përgatitur ta zbatojmë në mënyrën më perfekte. Kemi analizuar në detaje, jemi përgatitur edhe për kujdes, por të shfrytëzojmë edhe armët tona për të marrë maksimumin. Të jemi vetvetja dhe të kthehemi te fitorja”, ka thënë Nuhiu. “Nuk ka kundërshtar të lehtë, sepse nga viti në vit po e shohim kampionatin duke u rritur dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e skuadrave tona në Evropë. Nuk ka skuadër të dobët, duhet qasje maksimale ndaj çdo kundërshtari nëse do të bësh më të mirën”.

Të shtunën në shtëpi luan edhe skuadra e Llapit. Llapi e pret Trepçën ’89 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Në xhiron e parë Llapi fitoi në udhëtim ndaj Drenicës dhe trajneri Tahir Batatina synon fitore edhe në ndeshjen e dytë. Trepça ’89 këtë edicion është rikthyer në elitë pas një viti në Ligën e Parë dhe ndaj Dritës pati një paraqitje të mirë, ku ishte në avantazh prej dy golave.

“Besoj se do të jetë një ndeshje e mirë dhe e fortë prej dy ekipeve, pasi luajmë futboll të hapur dhe dhurojmë spektakël në secilën ndeshje. Trepçën ’89 e respektojmë, nuk guxojmë të bëjmë as gabimin më të vogël, sepse na ndëshkon. Duhet të angazhohemi maksimalisht për të marrë pikët e plota pasi fitorja është opsioni i vetëm i yni. Jemi te motivuar si skuadër dhe pres t’i gëzojmë tifozët tanë, të cilët do ta mbushin stadiumin për të na përkrahur drejt fitores”, është shprehur Batatina.

Xhiroja e dytë do të mbyllet të dielën, kur luhen tri ndeshje. E fundit zhvillohet në mbrëmje.

Kampioni në fuqi, Ballkani, do ta luajë ndeshjen e parë të këtij sezoni në Superligë. Ballkani luan ndaj Drenicës si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, prej orës 20:00. Skuadra nga Suhareka nuk e luajti duelin e xhiros së parë ndaj Malishevës, pasi kishte kërkuar t’i shtyhej shkaku i pjesëmarrjes në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Pas fitores 2:1 të enjten mbrëma në udhëtim te Shkupi në ndeshjen e parë të plejofit të kësaj gare trajneri Ilir Daja tha se fokusi i ekipit të tij do të kthehet në kampionatin e Kosovës.

Në “Fadil Vokrri” Ballkani e luan edhe ndeshjen e kthimit ndaj Shkupit. Kështu takimi me Drenicën u shërben suharekasve për përshtatje me fushën e lojës.

“Para se të mendojmë për duelin e kthimit me Shkupin, kemi ndeshje të dielën mbrëma ndaj Drenicës në kampionat që duhet ta vlerësojmë, sepse vetëm nëpërmjet kampionatit të jepet mundësia të luash në Evropë”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.

Superliga - II

E shtunë

Drita – Dukagjini (17:00)

Llapi - Trepça ’89 (17:00)

E diel

Ferizaj – Prishtina (17:00)

Gjilani – Malisheva (17:00)

Ballkani – Drenica (20:00)

1. Gjilani 1 3

2. Prishtina 1 3

3. Llapi 1 3

4. Drita 1 1

5. Trepça ’89 1 1

6. Ballkani 0 0

7. Malisheva 0 0

8. Ferizaj 1 0

9. Dukagjini 1 0

10. Drenica 1 0