Sport

Dukagjini i motivuar kërkon t’ia shkaktojë Dritës humbjen e parë

Dy fitoret e fundit, që janë të vetmet deri më tani këtë edicion në Superligë, kanë motivuar skuadrën e Dukagjinit para duelit me Dritën. Ndaj Dritës, skuadra nga Klina po synon fitoren. Në dy xhirot paraprake Dukagjini mposhti Ferizajn në shtëpi e më pas Prishtinën në udhëtim. Me këto gjashtë pikë Dukagjini është larguar nga fundi i tabelës, ku ishte deri në xhiron e nëntë, për t’u ngjitur në pozitën e tetë. I ka tetë pikë të grumbulluara.

Dueli mes Dukagjinit dhe Dritës i takon javës së 11-të të elitës së futbollit kosovar dhe zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, të shtunën prej orës 13:00.

Kapiteni i Dukagjinit, Altin Merlaku, ka thënë se janë të motivuar maksimalisht për ta mposhtur edhe Dritën, ekipin e vetëm që nuk di për humbje këtë edicion. Drita në dhjetë ndeshje të luajtura deri më tani, ka shtatë fitore e tri barazime. I prin tabelës me 24 pikë të tubuara.

”Atmosfera nuk ka qenë asnjëherë më e mirë në ekip sesa tani. Dy fitoret që i kemi arritur në dy ndeshjet e fundit kanë bërë që atmosfera të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm. Jemi maksimalisht të përgatitur dhe të motivuar edhe për duelin me Dritën, në të cilin do të futemi për të fituar”, ka thënë Merlaku. “Motiv shtesë është se u jemi kthyer rezultateve pozitive me dy fitore. Duam të vazhdojmë me rezultate pozitive edhe në këtë xhiro dhe ta shënojmë edhe fitoren e tretë. Natyrisht, presim përkrahjen e tifozëve të cilët edhe kur nuk kishim rezultate pozitive ishin afër ekipit. Luajmë në shtëpi dhe duam fitore, ndonëse nuk do të jetë lehtë, sepse përballë kemi një ekip të fortë si Drita”.

Në ndeshjen e parë të këtij sezoni, Drita e pati mposhtur me rezultatin minimal 1:0 Dukagjinin në stadiumin me bar sintetik në qytetin e Gjilanit.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka pranuar se ekipin e tij e pret një përballje e fortë dhe për këtë i ka paralajmëruar futbollistët. Ai ka thënë se Dukagjini është rikthyer dhe se gjilanasit duhet të tregohen maksimalisht të kujdesshëm. Edhe pse luan në Klinë, Nuhiu ka insistuar se Drita do të bëjë të pamundurën për të marrë pikët e plota nga kjo përballje.

“Ata po rikthehen. Kanë një skuadër agresive dhe të shpejtë në sulm, me futbollistë cilësorë. Por mua më gëzon fakti se edhe Drita po kalon në formë të mirë dhe do të mundohemi të aplikojmë lojën tonë ndaj Dukagjinit. Idesë që kemi përgatitur për këtë ndeshje, pres nga futbollistët t’i përmbahen në mënyrë perfekte. Jemi të mobilizuar për të dhënë maksimumin sepse e dimë që do të jetë përballje e fortë dhe e luftuar. Për këtë duhet të sakrifikojmë gjithçka që të marrim këtë ndeshje”, ka thënë Nuhiu. “Të gjithë janë të gatshëm për lojë dhe janë stërvitur shumë mirë. Është e rëndësishme që skuadra të fitojë dhe ata që paraqiten të japin maksimumin, pavarësisht sa minuta janë në fushë. Duhett a ndihmojë skuadrën për të arritur qëllimin. Duhet të përqendrohemi te skuadra jonë, sepse në futboll momentin që neglizhon mund të ndëshkohesh”.

Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër. Skuadra e Prishtinës përballet me Ferizajn në stadiumin “Fadil Vokrri”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ismet Munishi në këtë takim futet pas humbjes nga Dukagjini, ndërsa te Ferizaj do të debutojë trajneri nga Kroacia, Andrej Panadiq. Panadiq në mesjavë u prezantua te Ferizaj, pas largimit të Arbnor Morinës.

Prishtina ka 12 pikë dhe zë vendin e katërt, ndërsa Ferizaj renditet i fundit në tabelë me tetë pikë. Ndërkohë xhiroja do të mbyllet të dielën, kur janë tri ndeshje.

Superliga – XI

E shtunë (13:00)

Dukagjini - Drita

Prishtina – Ferizaj

E diel (13:00)

Trepça ’89 – Llapi

Drenica – Ballkani

Malisheva – Gjilani

1. Drita 10 7 3 0 23:8 24

2. Ballkani 8 7 0 1 13:5 21

3. Gjilani 10 4 3 3 11:12 15

4. Prishtina 9 3 3 3 10:9 12

5. Llapi 9 3 3 3 11:14 12

6. Drenica 10 3 2 5 11:15 11

7. Trepça ’89 8 2 3 3 17:16 9

8. Dukagjini 10 2 2 6 9:13 8

9. Malisheva 10 2 2 6 16:21 8

10. Ferizaj 10 1 5 4 9:17 8