Polonia do të luajë në fazën e dytë të Kampionatit Evropian të basketbollit. Polonia ishte e para e grupit D që siguroi kualifikimin në fazën e dytë të Eurobasketit. Nga stoli Poloninë po e udhëheq Igor Miliçiq, kroati që vlerësohet shumë lart në shtetin polak.
Miliçiq ka shumë suksese si trajner i basketbollit, ndërsa karrierë të madhe kishte edhe si basketbollist. Ka luajtur fundor dhe është shquar për mënyrën se si e ka organizuar lojën.
Për ata që e përcjellin basketbollin kosovar për kohë më të gjatë, e që janë shumë, Miliçiq është emër i njohur. Në njërën prej periudhave më të lavdishme të basketbollit kosovar, në edicionin 2003/04, Miliçiq ishte pjesë e Trepçës së Mitrovicës.

Miliçiq në atë periudhë luante në nivele serioze ndërkombëtare dhe kalimi te Trepça nuk ishte lëvizje e pritur. Por kishte një rrëfim prapa kësaj lëvizje. Basketbolli kosovar ishte i izoluar. Klubet nuk e kishin të drejtën e paraqitjes në gara ndërkombëtare, ndërsa FBK-ja nuk ishte pjesë e FIBA-s. Dhe kjo situatë i mundësojë Miliçiqit që të vazhdonte karrierën në Kosovë. Ai luajti për Trepçën në kohën kur nuk ka mundur të luajë në asnjë vend tjetër. Nga FIBA ishte i dënuar për doping, ndërsa FIBA nuk kishte autoritet në Kosovë. FBK-ja bënte përpjekje për pranim në FIBA, por megjithatë kishte lejuar që një lojtar i dënuar për doping të paraqitej në Superligë.
Për atë rast, Miliçiq ka folur së fundi edhe për mediumin serb “mondo.rs”. Polonia e Serbia takohen sonte në ndeshjen e fundit të fazës grupore në Eurobasket.
“Kam rënë në kontroll të dopingut në Greqi dhe Kosova atëherë nuk ishte nën FIBA. Kështu që vetëm në këtë mënyrë kam mundur të mbetem në basketboll në ata shtatë-tetë muaj. Kam luajtur atje për ta ushqyer familjen. Kështu ndodhi”, ka thënë Miliçiq.
Ai te Trepça ishte prej lojtarëve më të pëlqyer nga tifozët “Torcida”. Trepça atëbotë, si edhe tani, ka pasur përkrahje shumë të madhe nga shikuesit.
Si trajner, Miliçiq ka fituar shumë tituj të kampionit të Polonisë. Ka drejtuar skuadrat më të forta në këtë vend, ndërsa prej vitit të kaluar është selektor i Polonisë.