Për Shqipërinë: 28 Nëntori i vitit 1912 është Dita e Pavarësisë dhe shkëputja nga Perandoria Osmane që festohet një ditë para Ditës së Çlirimit. Kurse për Kosovën, e njëjta datë, kremtohet si Dita e Flamurit dhe festohet si festë kombëtare, veçse s’konsiderohet si dita e pavarësisë apo e çlirimit të saj, pasi pas vitit 1912 Kosova mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar, nën sundimin e Mbretërisë Serbe (më vonë Jugosllavisë). Ndikimi i Fuqive të Mëdha dhe një paralele me ndikimin e BE-së në ditët e sotme
Shqipëria dhe Kosova, pjesë e të njëjtit trung etnik, ndajnë mes tyre paradokse të mëdha që reflektohen sot më së shumti përballë studiuesve, kur duan të ndërtojnë narrativa të përbashkëta. Në këtë ditë, kujtojmë se ne nuk kemi një datë të përbashkët çlirimi sepse na është dashur të rrugëtojmë historikisht ndryshe në shekullin XX, të përballemi me pushtues gati të njëjtë por dhe të ndryshëm dhe luftërat çlirimtare t’i orientojmë disi ndryshe. Për Shqipërinë: 28 Nëntori i vitit 1912 është Dita e Pavarësisë dhe shkëputja nga Perandoria Osmane që festohet një ditë para Ditës së Çlirimit. Kurse për Kosovën, e njëjta datë, kremtohet si Dita e Flamurit dhe festohet si festë kombëtare, veçse s’konsiderohet si dita e pavarësisë apo e çlirimit të saj, pasi pas vitit 1912 Kosova mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar, nën sundimin e Mbretërisë Serbe (më vonë Jugosllavisë). Ndërsa për publikun e arsimuar kosovar ka një lloj dijenie për atë që ndodhte në Kosovë, nga ana këtej e kufirit, veç historianëve të periudhës pothuaj dihet pak ose aspak. Para pak vitesh, Mucize Ünlü, një doktorante turke solli për publikun e vendit të saj, tezën për ekzistencën e Vilajetit të Kosovës deri në prag të pavarësisë së Shqipërisë, parë nga këndvështrimi osman. Në funksion të dokumentacionit turk, në varësi të perandorisë së të cilit ishin asokohe shqiptarët, ajo ka rrëfyer funksionimin e Kosovës, por edhe mënyrën sesi pas Luftës së Vitit 1993, Fuqitë e Mëdha nisën të ndërhynin në çdo aspekt në hapësirën e saj. Ka një ngjashmëri gati vrastare me kohët tona, kur sërish fuqitë evropiane janë protagoniste për shumë gjëra në Kosovë. Përkthyesi i këtij materiali është Kujtim Nuro, studiuesi i njohur i periudhës osmane, falë të cilit kemi përzgjedhjen por edhe kurimin e një libri që u botua nga “Dituria”. Siç mund të merret me mend, Kosova e fundshekullit XIX paraqet problematikat e përhershme me serbët, por më shumë me gjërat e brendshme sociale dhe të rendit, si edhe ardhjen e muhaxhirëve, të cilët popullsia i ndihmon me të gjitha mundësitë.
“Në Kosovë, e cila zinte një vend të mirë në Ballkan dhe që ishte njëra nga krahinat më të ngatërruara të botës, jetonin dhe gjenin strehë grupe të ndryshme fetare, me gjuhë, besime dhe etni”, shkruan autorja. Ndërkohë që kosovarët nuk e duan më autoritetin osman, sidomos lidhur me politikat e taksave dhe bërjen e ushtrisë në viset e perandorisë. Çdo “incident” raportohet dhe Perandoria Osmane në zgrip të saj është e detyruar t’ua raportojë konsujve të huaj. Ka një ngjashmëri të frikshme me situatën e sotme, kur shtetet evropiane bëjnë politikat dhe me anë të fondeve dhe projekteve ndërhynë, por kjo duket se është më e drejtuar sot, sesa përballë Perandorisë Osmane të asaj kohe.
MST: Banditizmi i shqiptarëve kthyer në art
Për t’i dhënë pak kontekst kohor cilësojmë se “Lufta e Vitit ‘93” (në turqisht: ‘93 Harbi) paraqet atë që historiografia osmane e njeh si Lufta Ruso-Osmane e viteve 1877–1878. Duhet theksuar se Lufta e Vitit ‘93 shënoi fillimin e rënies së pakthyeshme të sundimit osman në Evropë dhe ndikoi fuqimisht në zgjimin e madh të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Asokohe Perandoria Osmane përdorte të ashtuquajturin “Kalendari Rumi” një kalendar diellor i bazuar në Hixhretin e Profetit Muhamed. Dhe, sipas këtij kalendari, viti 1877 korrespondonte me vitin 1293 (shkurt: ‘93). Në këtë pjesë që po botojmë dhe që përmbyll punimin e zonjës në fjalë, kemi penelatat e para të shfaqjes të Rilindjes Kombëtare në dokumentet por edhe reagimin e shqiptarëve të Kosovës që duket se kanë bashkëkohësi me hapësirat e tjera ballkanike, sa i përket mëvetësisë. Lufta e vitit ’93 u përhap në dy fronte kryesore: Njëri u ngrit në Ballkan (ku spikatën betejat e ashpra të Plevnës dhe Qafës së Shipkës) dhe tjetri u përhap në Kaukaz. Rusia mëtonte të dilte në Detin Mesdhe, me pretendimin e zakonshëm si mbrojtëse e popujve sllavë dhe të krishterë ndaj sundimit të pamëshirë osman (sidomos pas kryengritjeve në Bosnjë dhe Bullgari). Për fatin e saj të keq, Perandoria Osmane humbi dhe i pa rusët mu në dyert e Stambollit. Megjithatë jemi ne shqiptarët që do vuajmë. Pasojat do të jenë tragjike për tokat shqiptare, sepse një vit më vonë do të zhvillohet Traktati i Shën Stefanit (mars 1878), i cili e bën sulltanin të plotësojë të gjitha tekat e rusëve. Krijohet “Bullgaria e Madhe”, ku shqiptarët ndahen mes vendeve sllave (Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi), ndërsa territore të gjera të banuara nga shqiptarë (përfshirë Korçën, Pogradecin, Dibrën, Tetovën, Gostivarin, Ulqinin, Plavën, Gucinë, etj.), tashmë kanë autoritet joshqiptar. I kësaj kohe është akti i madh që bënë patriotët shqiptarë të të gjitha trevave, të cilët u mblodhën më 10 qershor 1878 dhe themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për të mbrojtur tërësinë territoriale shqiptare. Për fat, ky ekspansion sllav do ta kishte një kut sepse në Kongresin e Berlinit (qershor–korrik 1878) që përkon me organizimin e shqiptarëve: Fuqitë e Mëdha evropiane e rishikuan Traktatin e Shën Stefanit. Sërish shqiptarët u sakrifikuan për Serbinë dhe dhjetëra mijëra shqiptarë, tashmë muhaxhirë u dëbuan nga Nishi dhe Mali i Zi (Tivari, Ulqini, etj.). Kosova, nga ana tjetër, do të ketë probleme të mëdha që reflektohen në pjesën sociale, ku ndoshta veç atyre ekonomike, ato më seriozet lidhen me sigurinë. Që kur u krijua vilajeti para luftës së vitit ‘93, kushtet e këqija ekonomike reflektohen me fonde financiare të mjaftueshme në Kosovë. Kurse një pjesë e madhe e fondit është shpenzuar për forcat e sigurisë, të cilat janë krijuar për të penguar problemin e qetësisë që përbënte një shqetësim për ata që jetonin si në krahinë, por edhe për vetë Fuqitë e Mëdha. Këto të fundit duket se vazhdojnë në një farë mënyre atë që bëjnë sot vendet e BE-së duke ndërhyrë kudo dhe për çdo shqetësim, madje shpesh duke amplifikuar për çështje standardesh dhe jo vetëm. Është e habitshme sesi përsëritet historia.
Për shkakun e sigurisë, si dhe të tjera në krahinë, nuk mund të kryheshin shërbimet në nivelin që pritej. Kjo do të rrisë rezistencën e banorëve, tashmë me mjete të ashpra. Tollovia e pushton vendin. Veprimet e komitëve të kombeve të Ballkanit, shtuar me aktet e fshehta të konsujve të Fuqive të Mëdha dhe atyre të përfaqësuesve fetarë po vazhdonin, sqaron studiuesja, duke treguar në një farë mënyre peizazhin social-politik-diplomatik të kohës. Si më shqetësuese mbetet ndër shqiptarë e ballkanas hajnia.
“Krahas kësaj dhe banditizmi në krahinë ishte shndërruar thjesht në art”, konfirmon studiuesja, një gjë që shpesh dhe më së shumti e njohim nga kujtesa jonë publike dhe historia jonë reale. Kjo i bën turqit që të mobilizohen në vilajet, për të bërë të mundur sigurimin e qetësisë dhe për t’iu dhënë fund veprimeve të komitëve. Veçse, për këtë, ishte e nevojshme armatosja e një numri të shumtë ushtarësh. Që do të thoshte për vilajetin një detyrim edhe më të madh financiar, i cili tashmë në zgripin e perandorisë ishte në vështirësi të shumta ekonomike. Deklarata që po e citojmë nga studiuesja se: ”Në qoftë se nuk do të shpërbëhej Rumelia, në qoftë se nuk do të ndodhte epidemia e Anadollit dhe, në qoftë se nuk do të digjej Stambolli, parvazi i sipërm i dyerve të shtëpive turke do të ishte prej ari dhe pragu i poshtëm do të ishte prej argjendi”, do të shprehnin ndikimin në publik dhe në memorien kolektive të problemit të qetësisë, e cila përjetohej asokohe në Rumeli mbi popullsinë e përgjithshme, qoftë dhe vilajetin e Kosovës. Megjithatë është edhe një e vërtetë e madhe, se në ag të pavarësisë turqit po merrnin shpagimin për politikën ndaj shqiptarëve, kurse kosovarët po mbeteshin tragjikisht nën administrimin e ashpër dhe, në shumë periudha, aspak human të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.