Basketboll

Një e teta e finales e Eurobasketit, trajneri kundër ish-lojtarit të Trepçës

Adis Beqiragiq

Adis Beqiragiq

Polonia e Bosnjë-Hercegovina takohen në njërën prej ndeshjeve të një të tetës së finales së Eurobasketit. 

Ndeshja do të zhvillohet të dielën nga ora 11:00 në Riga të Letonisë, ndërsa do të përcillet me vëmendje sidomos nga tifozët e Trepçës.

Trajneri i skuadrës mitrovicase, Adis Beqiragiq, është përzgjedhës i Bosnjë-Hercegovinës. Klubi mitrovicas e ka uruar disa herë trajnerin e tij për suksesin me Bosnjën në Eurobasket. Ndërkohë selektor i Polonisë është ish-lojtari i Trepçës, kroati Igor Miliçiq.

Miliçiqi, tani 49-vjeçar, është duke bërë karrierë shumë të suksesshme si trajner. Selektor i Polonisë është nga viti 2021. Në Poloni ka drejtuar skuadra si Koszalin, Wloclawek e Stal. Ka drejtuar edhe Beshiktashin n ë Turqi dhe Napolin në Itali.

Miliçiq, që ishte organizator i lojës, te Trepça luajti në vitin 2004. Por ende mbahet mend nga mitrovicasit, për shkak të karrierës që po bën, por edhe paraqitjeve që kishte. Edhe si basketbollist, Miliçiq ka pasur karrierë të madhe. 

Dukshëm më gjatë te Trepça është boshnjaku Adis Beqiragiq. Ai ka drejtuar mitrovicasit në dy edicionet e kaluara. Dhe Trepça i mblodhi gjithë trofetë. Beqiragiqi e ka vazhduar edhe për një vit kontratën me klubin mitrovicas, ndërsa po tregohet i suksesshëm edhe me Bosnjë-Hercegovinën në Eurobasket.

Kalimi i grupit vlerësohet sukses i madh për boshnjakët, ndërsa synimi i radhës është eliminimi i Polonisë në një të tetën e finales.

Bosnja përfundoi e treta në Grupin C me tri fitore e dy humbje. Mbeti prapa Greqisë e Italisë, ndërsa la pas Gjeorgjinë, Spanjën e Qipron. Në fazën grupore, të përzgjedhurit e Beqiragiqit fituan ndaj Qipros, Greqisë dhe Gjeorgjisë. Pësuan nga Italia e Spanja.

Igor Miliçiq

Polonia u rendit e dyta në Grupin D. Mbeti prapa Francës, ndërsa la pas Slloveninë, Izraelin, Belgjikën e Islandën.

Ndaj Beqiragiqit ka pasur dyshime jo të vogla në Bosnjë-Hercegovinën. Por me fitoren ndaj Gjeorgjisë, përkatësisht kalimin në një të tetën e finales, Beqiragiqi ka bërë thuajse të gjithë për vete. Ai tashmë po vlerësohet selektori më i suksesshëm në histori të Bosnjë-Hercegovinës.

“I falënderohem Zotit. I falënderoj lojtarët, shtabin teknik që ka punuar 24 orë. E falënderoj gruan time dhe katër fëmijët e mi. E falënderoj motrën, ajo është përkrahje e madhe për mua. I falënderoj të gjithë që e përkrahin ekipin tonë nacional dhe shtetin tonë. Nga ndeshja në ndeshje po luajmë më mirë. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Beqiragiq pas kalimit në një të tetën e finales.

Në ndeshjen e parë të një të tetës së finales përballen Turqia e Suedia, të shtunën nga ora 11:00. Te Turqia dy prej lojtarëve kryesorë janë shqiptarët Erxhan Osmani e Kenan Sipahi. Me fitoren ndaj Serbisë në ndeshjen e fundit në grup, Turqia tashmë vlerësohet prej favoriteve të Eurobasketit. Kalimi i Suedisë pritet nga të gjithë.

Të shtunën janë edhe ndeshjet Gjermania – Portugali (14:15), Lituania – Letonia (17:30) dhe Serbia – Finlanda (20:45). Te Finlanda njëri prej lojtarëve është Edon Maxhuni.
Të dielën pos ndeshjes mes Polonisë e Bosnjë-Hercegovinës zhvillohen edhe ndeshjet tjera të fazës nokaut: Franca – Gjeorgjia (14:15), Italia – Sllovenia (17:30) dhe Greqia – Izraeli (20:45).