Pak flitej për derbin e qytetit të Gjilanit, të mërkurën. Më shumë flitej nëse do të luhej derbi në mes të Dritës dhe Gjilanit. Kjo dilemë erdhi pasi të mërkurën më mëngjes u njoftua se të martën në mbrëmje dyshohet se dikush kishte ndezur një zjarr në fushën me bari sintetik në Gjilan. Nga zjarri mbeti e dëmtuar vetëm një pjesë e vogël e barit sintetik pranë njërës portës. Te klubi Drita, e po ashtu edhe nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit nuk e dinë shkakun se si ka ardhur deri te zjarri. Por, ka dyshime se vendimi për t’u luajtur derbi me dyer të mbyllura, nuk u ka pëlqyer shumë shikuesve. Në fakt, vendimi për t’u luajtur pa praninë e shikuesve ka ngjallur reagime të shumta të martën në Gjilan. Këtë e pranojnë edhe te Drita. Drita organizoi ndeshjen derbi ndaj Gjilanit vetëm pas riparimit të fushës, ku edhe ishte djegur. Për ta bërë riparimin e fushës në ndihmë i ka dalë një ekip i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Nuk e dimë se nga kush ka ardhur. Sigurisht se pakënaqësitë kanë ardhur nga të gjithë qytetarët e Gjilanit sepse derbi sërish po luhet pa praninë e shikuesve, gjë që ne luajmë për shikues. Nuk mund të them saktësisht, por megjithatë persona të pandërgjegjshëm e kanë kryer një akt vandal, që është dëmtim i fushës dhe që ne pastaj është dashur të merremi me riparimin e saj. Ndeshja ka rrezikuar të mos luhet, pasi për ta riparuar nevojiten ekspertë, ndaj falë mbështetjes së Federatës së Futbollit të Kosovës me t’u njoftuar kanë dërguar një ekip profesionistësh dhe kanë sanuar fushën”, ka thënë Zymberi për KOHËN.
Vendimin për të mos lejuar shikues në derbin e madh e kishte marrë Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit. Zymberi ka theksuar se Policia e Kosovës nuk ka lejuar as numër të kufizuar të shikuesve.
Edhe në Policinë e Kosovës thonë se nuk kanë ende të dyshuar për djegien e barit.
“Për momentin nuk mund të flasim për motivet, pasi nuk kemi të dyshimtë, por po punohet intensivisht, ku do të merren edhe deklarata nga përgjegjësit e fushës dhe nga personat e tjerë relevantë, por sigurisht që në të ardhmen gjithçka që do të kemi rreth kësaj situate do të njoftoheni me kohë”, është shprehur Hashani.
Drita e Gjilani janë duke i zhvilluar ndeshjet si vendas në fushën me bari sintetik në Gjilan, pasi stadiumi i qytetit nuk i plotëson kriteret për organizim të ndeshjeve kampionale. Punimet janë ndërprerë, ndërsa nuk dihet se kur do të rifillojnë.
Për stadiumin e qytetit të mërkurën ka pasur edhe një diskutim në mes të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Takimi është mbajtur në Gjilan, ndërsa Çeku ka theksuar se janë në fazën e zgjidhjes së ngërçit afatgjatë. Por, nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të rifillojnë punimet dhe kur do të përfundojnë ato.
“Ky projekt nuk ka të bëjë me nivel lokal, por qendror dhe duhet të na japin shenjë se kur të fillojë, prandaj edhe shikuesit janë të revoltuar se nuk po na japin asnjë datë se kur do të rifillojnë punimet. Kemi pasur dëshirë të ishim prezentë, por momentin që morëm lajmin se rrezikohet ndeshja, atëherë u mobilizuam për ta rregulluar fushën dhe ta bëjmë gati për ndeshje. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në atë takim, pasi e gjithë vëmendja jonë ishte aftësimi i fushës”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.