Sport

Deschamps paralajmëron Pogban në prag të Botërorit

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps ka paralajmëruar mesfushorin Paul Pogba në prag të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

Në një konferencë për shtyp të enjten, Deschamps i ka dhënë mesazh të qartë mesfushorit të Juventusit. Ai ka thënë se Pogba nuk do të ftohet për në Katar në rast se nuk luan dhe nuk është në formë deri para fillimit të këtij turneu, i cili nis në fund të muajit nëntor.

Pogba aktualisht është duke u rikuperuar nga operimi i gjurit dhe nuk pritet të rikthehet në fushë të paktën deri në fillim të nëntorit.

Ai iu bashkua Juventusit këtë verë, por shkaku i lëndimit ende nuk e ka regjistruar asnjë paraqitje zyrtare me klubin italian.

“Nëse nuk do të luaj dhe nuk është në formë, atëherë ai nuk do të ftohet. Është e kotë të ftohet vetëm për të qëndruar. Edhe ai vetë nuk dëshiron një gjë të tillë”, është shprehur Deschamps.

Pogba para katër vjetësh e fitoi Kupën e Botës me Francën.