Sport

Deschamps mohon kthimin e Benzemas

Karim Benzema - Franca - Katar 2022

Trajneri i Francës, Didier Deschamps i ka dhënë fund çështjes së sulmuesit Karim Benzema.

Deschamps të martën ka konfirmuar se Benzema nuk do të paraqitet në Kupën e Botës për shkak se i duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar nga lëndimi që e pësoi pak ditë para fillimit të turneut.

Trajneri francez po ashtu, ka shtuar se Benzema është larguar nga Katari dhe ka nisur trajtimin për t’u rikuperuar nga lëndimi që e la jashtë turneut të Katarit.

“Benzema është çështje e mbyllur. Ai nuk është më në mendjen time për Botëror për shkak se të gjithë e dimë gjendjen e tij. Kam folur me Karimin pasi u largua dhe atij i duhet kohë më e gjatë për t’u rikuperuar”, ka insistuar Deschamps.

Të hënën, mediumet franceze kanë shkruar se Benzema do të luante në turneun e Katarit, por pas përfundimit të fazës së grupeve.

Sipas tyre, Benzema pothuajse ishte rikuperuar dhe për këtë arsye nuk ishte larguar nga lista e 26 lojtarëve që Deschamps i kishte zgjedhur për Botëror.