Gjyqtari spanjoll Antonio Mateu Lahoz është kritikuar shumë për paraqitjet e fundit dhe ka marrë dënim nga Federata e Futbollit të Spanjës.
Lahoz nuk do të jetë i pranishëm në asnjë ndeshje që do të zhvillohet në këtë fundjavë në futbollin spanjoll, madje as në dhomën e VAR-it. Lahoz u kritikua shumë edhe në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Holandës, ku shpërndau 17 kartonë të verdhë, ndërsa u kritikua edhe nga ylli argjentinas, Lionel Messi.
Ndërkohë në ndeshjen e parë të futbollit spanjoll pas Botërorit ai dha edhe 15 kartonë tjerë të verdhë dhe dy kartonë të kuq, në derbin ndërmjet Barcelonës dhe Espanyolit.
Edhe pse ai nuk dha asnjë karton të verdhë në Kupën e Mbretit në 1/16-tën e finales në duelin ndërmjet Sevillas dhe Linaresit, ai përjashtoi nga loja trajnerin e andaluzianëve, Jorge Sampaolin, pas vetëm 17 minutave lojë.