Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Demhasaj huazohet te Winterthuri

Sulmuesi i Kosovës, Shkëlqim Demhasaj ka ndërruar ekip në Zvicër. Demhasaj të premten është zyrtarizuar te Winterthuri, ekip që bën gara në kategorinë e dytë zvicerane. Ai është huazuar deri në fund të këtij sezoni nga Grasshoppersi që bën gara në elitë.

Demhasaj 25-vjeçar te Winterthuri është vlerësuar si përforcim i rëndësishëm për pjesën e mbetur të këtij sezoni pasi ekipi po synon futjen në elitë për sezonin e ardhshëm.

Në njoftimin e Winterthurit thuhet se Demhasaj do ta zëvendësojë sulmuesin Roman Buess që është lënduar dhe do të mungojë për një periudhë më të gjatë. Demhasaj do të jetë në gjendje të aktivizohet menjëherë te Winterthuri që përballet të shtunën në shtëpi me Wilin.

Demhasaj në vitin 2020 iu bashkua Grasshoppersit dhe ka kontratë deri në vitin tjetër. Ai karrierë ka bërë edhe te Luzerni e Schaffhauseni kurse këtë sezon ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim në 15 ndeshje në të gjitha garat për Grasshoppersin.

Pas 20 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në kategorinë e dytë të Zvicrës, Winterthuri është i treti në tabelë me 33 pikë, dy më pak se Vaduzi e Aarau që mbajnë dy pozitat e para.