Lumbardh Dellova heshti kur u pyet nëse viti 2023 ishte më i miri për të. Ktheu kokën nga çmimi të cilin e pranoi të dielën. La të kuptohet se viti 2023 ishte më i miri në karrierën e nisur si senior në vitin 2017.
“Viti 2023 ishte shumë i vështirë, si me ekipin e Ballkanit po ashtu edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, por me sakrificë, punë dhe mund me Ballkanin ia dolëm që për herë të dytë të paraqitemi në grupet e Ligës së Konferencës. Shpresoj që të vazhdojmë edhe viteve të tjera kështu. Ndërsa me Kombëtaren e Kosovës shpresoj të kualifikohemi në ndonjë ngjarje të madhe”, ka thënë për KOHËN mbrojtësi 24-vjeçar, të dielën. Ai foli pasi mori çmimin kryesor në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2023”, që u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës. Dellova u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2023 në Kosovë. Rrallë ndodh që mbrojtësit të shpallen më të mirët.
Viti 2023 mund të jetë edhe i fundit në Kosovë për Dellovën. Interesimi i skuadrave të ndryshme në Evropë është i madh. Por Dellova tregohet i matur kur flet për ofertat. Thekson se synimi është t’i bashkohet ndonjë klubi me projekt të madh.
“Jam në kontratë me Ballkanin. Ka disa oferta, por duhet të ulem me presidentin dhe t'i diskutojmë së bashku, dhe pse jo me mirëkuptim të më lirojë dhe të vazhdoj në ndonjë ekip evropian. Por së pari duhet t’i falënderohem presidentit, po ashtu, edhe FC Ballkanit që ma dha këtë mundësi. Pastaj trajnerët, bashkëlojtarët, sepse pa ata nuk mund të isha këtu”, ka thënë Dellova.
Në fakt, Dellova në vitin 2018 bëri hap të rëndësishëm në karrierë. Ai kaloi te skuadra e madhe kroate, Hajduku i Splitit, nga Liria e Prizrenit. Në vitin 2020 bëri një ndalesë të shkurtër te Prishtina, përpara se të kthehej përfundimisht në Kosovë dhe të shndërrohej në qendërmbrojtës stabil te Ballkani i Suharekës.
Kthimi i Dellovës nga Hajduku në futbollin kosovar u vlerësua nga shumëkush si hap prapa në karrierë, ndonëse ai nuk kishte siguruar vend të rregullt në ekipin nga Spliti. Dellova, tani 24-vjeçar, në dhjetor të vitit 2021 iu bashkua Ballkanit nga Hajduku. Futbollisti nga Krusha e Madhe, megjithatë, përfitoi shumë nga kthimi në ligën kosovare.
Siguroi paraqitjen për vitin e dytë rresh në Ligën e Konferencës me Ballkanin e po ashtu edhe një vend në Përfaqësuesen e Kosovës. Për Kosovën ka luajtur shtatë ndeshje, ndërsa ëndërr e ka të kualifikohet në ndonjë ngjarje të madhe, në Botëror apo Evropian. Para se të bëhej lojtar i Përfaqësueses A, Dellova ka luajtur për U19 dhe U21 të Kosovës.
“Shpresoj të jem prezent edhe unë aty dhe ta japim më të mirën, si unë ashtu edhe bashkëlojtarët. Është ëndërr e imja e cila shpresoj të realizohet”, është shprehur Dellova.
Ai shquhet për ndërhyrjet, pasimet e sakta, qetësinë gjatë zotërimit të topit. Në 87 ndeshje për Ballkanin ka shënuar dhjetë gola dhe ka kontribuar me dy asistime.