Përmes një “dere të vogël”, Lumbardh Dellova në vitin 2018 bëri hap të rëndësishëm në karrierë. Ai kaloi te skuadra e madhe kroate, Hajduku i Splitit, nga Liria e Prizrenit.
Në vitin 2020 bëri një ndalesë të shkurtër te Prishtina, përpara se të kthehej përfundimisht në Kosovë dhe të shndërrohej në qendërmbrojtës stabil te Ballkani i Suharekës.
Kthimi i Dellovës nga Hajduku në futbollin kosovar u vlerësua nga shumëkush si hap prapa në karrierë, ndonëse ai nuk kishte siguruar vend të rregullt në ekipin bazë të klubit nga Spliti. Dellova, tani 24-vjeçar, në dhjetor të vitit 2021 iu bashkua Ballkanit nga Hajduku.
Por në fakt futbollisti përfitoi shumë nga kthimi në ligën kosovare. Dellova siguroi paraqitjen për vitin e dytë rresh në Ligën e Konferencës me Ballkanin e po ashtu edhe një vend në Përfaqësuesen e Kosovës.
“E vlerësoj shumë pozitiv kthimin në Kosovë, sepse më ka ndihmuar shumë në çdo aspekt. Më ka hapur shumë rrugë. Shpresoj të vazhdoj kështu duke dhënë më të mirën për Ballkanin dhe shtetin tim Kosovën”, ka thënë Dellova të mërkurën për KOHËN.
Dellova të dielën kompletoi ndeshjen e Kosovës ndaj Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Ishte paraqitja e dytë rresht për 90 minuta me fanellën e Kosovës. Doli fitues në të dyja ndeshjet, ndaj Andorrës 3:0 muajin e kaluar dhe kundër Izraelit të dielën, 1:0. Me Dellovën në qendër të mbrojtjes, Kosova nuk ka pësuar gol. Për Përfaqësuesen, Dellova ka luajtur edhe tri ndeshje miqësore.
“Jam shumë i kënaqur së pari me fitoren që e kemi arritur e po ashtu edhe me paraqitjen time. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm”, është shprehur futbollisti nga Krusha e Madhe.
Dellova është lider i mbrojtjes së Ballkanit, kampionit kosovar të dy vjetëve të fundit. Shquhet për ndërhyrjet, pasimet e sakta, qetësinë gjatë zotërimit të topit. Në 80 ndeshje për Ballkanin ka shënuar dhjetë gola dhe ka kontribuar me dy asistime. Ballkani është ende në garë për të kaluar në fazën nokaut të Ligës së Konferencës. Dellova i është mirënjohës Ballkanit për ngritjen si futbollist. Tani flet me emocion për Kosovën. Ai nuk ndihet i lodhur, pavarësisht se me fanellën e Ballkanit ka luajtur rregullisht si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Konferencës.
“Kur është fjala për shtetin, patjetër që duhet të gjejmë forcën dhe ta japim më të mirën për fanellën e Kosovës”, thotë Dellova.
Sa i përket së ardhmes, Dellova ende nuk ka ndonjë gjë të sigurt. Të ardhmen e sheh në ndonjë kampionat më të fortë se Kosova.
“Pas paraqitjeve të mira që kemi pasur me Ballkanin, besoj se e kemi treguar veten se mund të luajmë edhe në ekipe evropiane. Dhe synimi im është dalja në ndonjë klub në Evropë. Por duhet të vazhdoj me të njëjtin ritëm, ta tregoj veten në mënyrën më të mirë të mundshme, pastaj të shohim. Gjithçka hap pas hapi”, ka thënë Dellova.
Para se të bëhej lojtar i Përfaqësueses A, Dellova ka luajtur për U19 dhe U21 të Kosovës. Ai pritet të jetë titullar edhe ndaj Zvicrës, në Basel të shtunën.