Sport

Dellova futbollist i vitit, Rrahmanit çmimi “Fadil Vokrri”

Lumbardh Dellova ka fituar çmimin kryesor në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2023”, që u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës, të dielën. Ai u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2023 në Kosovë.

Mbrojtësi Dellova ka shfaqur stabilitet te Ballkani që fitoi titullin e kampionit për herë të dytë rresht dhe, po ashtu, arriti deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Dellova gjatë vitit 2023, po ashtu, ka debutuar te Kosova në ndeshje zyrtare.

Ceremonia “Laureatët e Vitit 2023” mblodhi njerëzit e futbollit nga Kosova, ndërsa në ceremoni ishte edhe Armand Duka, nënpresident i UEFA dhe president i FSHF-së.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë një përmbledhje të sukseseve gjatë vitit 2023. Ka vlerësuar se viti ishte si një ndeshje futbolli, me suksese e sfida.

Gjatë ceremonisë, që përfundoi disi me nguti janë ndarë shumë e shumë çmime e mirënjohje. Ceremonia përfundoi me çmimin për Dellovën.

Më i miri i vitit është zgjedhur me votat e gazetarëve sportivë.

Ndërkohë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është nderuar me çmimin “Fadil Vokrri”. Rrahmani kishte suksese kulmore me Napolin në Itali. Por Kosova ka pasur vit të pasuksesshëm.

Rrahmani nuk ishte në ceremoni për shkak të obligimeve në skuadrën e Napolit.

Çmimin e ka vlerësuar përmes një video-mesazhi.

“Për shkak të pamundësisë për të qenë aty me ju, po e bëj këtë video në shenjë falënderimi për çmimin. Ky çmim është shumë i veçantë, që më jep shtysë dhe vetëbesim për vitet e ardhshme. Viti që po e lëmë pas ka qenë shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm, sidomos me klubin tim ku u shpallëm kampion pas 33 vjetësh, që është një kohë shumë e gjatë për një ekip që të rishpallet kampion. Ka qenë një sukses i rrallë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij suksesi. Me Kombëtaren e Kosovës kemi pasur shumë ndeshje të rëndësishme, kemi bërë shumë ndeshje të bukura. Jo gjithmonë rezultati ka qenë ashtu siç kemi dashur, por jemi duke u përmirësuar dhe duke besuar deri në fund se diçka të madhe mund ta bëjmë së bashku. Edhe një herë ju falënderoj shumë dhe shpresoj që t’ju jap ende edhe më shumë ndeshje të mira dhe suksese të tjera”, ka theksuar Rrahmani.

Ashtu siç pritej, Ilir Daja i Ballkanit u shpall trajneri i vitit, ndërsa kampioni i Kosovës, Ballkani, mori çmimin e klubit të vitit.

“Ndihem i nderuar që ndodhem përpara shumë personaliteteve të sportit dhe jo vetëm. Do ta ndaj këtë çmim me lojtarët që janë akterët kryesorë, presidentin Kabashi. Do ta ndaj me të gjithë trajnerët e Kosovës, sepse unë jam njëri midis jush dhe të gjithë kontribuojmë për zhvillimin e futbollit të Kosovës”, ka thënë Daja.

Ish-sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani, pranoi çmimin e golashënuesit më të mirë të vitit. Rrahmani tani është pjesë e Rapidit të Bukureshtit. Por për Rrahmanin nuk kishte vend në ekipin e vitit në Superligë, sipas vlerësimit të trajnerëve.

Njëmbëdhjetëshen e vitit e ka dominuar Ballkani me gjashtë lojtarë.

Në njëmbëdhjetëshen më të mirë të vitit në Superligë kanë zënë vend: Enea Koliqi (Ballkani), Armend Thaqi (Ballkani), Lumbardh Dellova (Ballkani), Ilir Krasniqi (Llapi), Lorenc Trashi (Ballkani), Qëndrim Zyba (Ballkani), Rron Broja (Drita), Drilon Hazrollaj (Malisheva), Nazmi Gripshi (Ballkani), Muhamet Hyseni (Llapi), Jalen Blesa (Prishtina).

Drita e Gjilanit u zgjodh klubi më “ferplej” i vitit.

Visar Kastrati u zgjodh për herë të shtatë gjyqtari më i mirë i vitit.

Te futbollistet, KFF EP-Hajvalia u shpall klubi më i mirë. Futbollistja më e mirë u zgjodh Feride Kastrati e EP-Hajvalia. Shpresa e vitit në futbollin e femrave ishte Anita Krasniqi e klubit 18 Qershori.

Në futsall, Prishtina 01 e mori çmimin e klubit të vitit, ndërsa lojtari i kësaj skuadre, Bajram Ramadani, u zgjodh më i miri.

FFK-ja ndau edhe çmime të tjera. Armand Dukës iu nda çmimi për të arriturat në UEFA dhe futbollin ndërkombëtar. Samir Ujkanit iu nda çmimi i karrierës, ndërsa Erëleta Memetit iu nda mirënjohje për të arriturat në Përfaqësuese.

Në nismë të ceremonisë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e prezantoi Fisnik Asllanin si lojtar të ri të Kosovës. Asllani është duke luajtur në Austri, ndërsa më herët ka luajtur për të rinjtë e Kosovës dhe të Gjermanisë.

Shpresa e vitit: Anita Krasniqi - KFF 18 Qershori

Futbollistja më e mirë e vitit: Feride Kastrati - EP-Hajvalia

Klubi më i mirë i femrave: EP-Hajvalia

Futbollisti më i mirë në futsall: Bajram Ramadani - Prishtina 01

Klubi më i mirë në futsall: Prishtina 01

Gjyqtari i vitit: Visar Kastrati

Klubi më ferplej: FC Drita

Klubi më i mirë: FC Ballkani

Trajneri më i mirë: Ilir Daja - FC Ballkani

Golashënuesi më i mirë: Albion Rrahmani

Çmimi për të arriturat në UEFA dhe futbollin ndërkombëtar: Armand Duka

Çmimi i karrierës: Samir Ujkani

Mirënjohje për të arriturat në kombëtare: Erëleta Memeti

Çmimi “Fadil Vokrri”: Amir Rrahmani - Napoli

Futbollisti më i mirë: Lumbardh Dellova - FC Ballkani

Formacioni i vitit 2023 në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës me vota të trajnerëve ka zgjedhur 11-shen më të mirë të vitit 2023 në Superligën e Kosovës.

Dominon kampioni, Ballkani, me gjashtë lojtarë. Llapi ka dy lojtarë, ndërsa Prishtina, Drita dhe Malisheva përfaqësohen me nga një lojtar.

Njëmbëdhjetëshja më e mirë: Enea Koliqi (Ballkani), Armend Thaqi (Ballkani), Lumbardh Dellova (Ballkani), Ilir Krasniqi (Llapi), Lorenc Trashi (Ballkani), Qëndrim Zyba (Ballkani), Rron Broja (Drita), Drilon Hazrollaj (Malisheva), Nazmi Gripshi (Ballkani), Muhamet Hyseni (Llapi), Jalen Blesa (Prishtina)