Arb Manaj është futbollisti më i mirë i vitit 2025 në Kosovë. Sulmuesi 27-vjeçar u shpall më i miri në ceremoninë që Federata e Futbollit e Kosovës e mbajti të dielën mbrëma.
Manaj e ka ndihmuar Dritën që ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës. Ka shënuar gola vendimtarë. Ndërkohë është paraqitur mirë edhe në Ligën e Konferencës, ku Drita e kaloi me sukses fazën e ligës.
Përzgjedhja e futbollistit më të mirë të vitit është bërë me votat e gazetarëve sportivë.
“Jam shumë i lumtur me çmimin e futbollistit më të mirë të vitit 2025 nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ka qenë viti më i mirë për mua në karrierë. Duke marrë parasysh që kemi fituar titullin e kampionit, pas titullit dihet që kishim synimin të siguronim fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Arritëm deri aty, por arritëm që ta siguronim edhe plejofin. Në fund u kurorëzova me këtë çmimin individual si futbollisti më i mirë i vitit. Është një ndjenjë shumë e veçantë. Këtë çmim ua dedikoj nënës dhe babait tim”, ka theksuar Manaj.
Në ceremoninë “Laureatët e Vitit” janë ndarë edhe shumë e shumë çmime të tjera.
Çmimin tjetër të rëndësishëm, atë “Fadil Vokrri”, e ka fituar kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani. Ky çmim i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses. Rrahmani gjatë këtij viti e fitoi titullin e kampionit në Serie A me Napolin. Me Kosovën ka kaluar në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe ka siguruar plejofin për kualifikim në Botëror.
Ndërkohë njëmbëdhjetëshja më e mirë e Superligës është përzgjedhur me votat e trajnerëve të klubeve të elitës së futbollit kosovar. Pjesë e njëmbëdhjetëshes më të mirë është Manaj. Por Prishtina, si fituese në fuqi e Kupës, nuk përfaqësohet me asnjë lojtar. Në njëmbëdhjetëshen më të mirë po ashtu nuk kishte vend për golashënuesin më të mirë të vitit në Superligë, Valentin Serebe të Ballkanit. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë u shpall golashënues më i mirë, falë 15 golave që i realizoi.
Formacioni më i mirë u përzgjodh me sistemin 4-4-2.
Faton Maloku i Dritës është vlerësuar portieri më i mirë. Mbrojtja përbëhet nga Besnik Krasniqi e Egzon Bejtullai të Dritës, Bajram Jashanica i Ballkanit dhe Arlind Veliu i Malishevës. Në mesfushë, sipas trajnerëve, janë dalluar Arianit Hasani i Llapit, Albert Dabiqaj i Dritës, Etnik Brruti i Malishevës dhe Walid Hamidi i Ballkanit. Si sulmues në formacionin më të mirë janë përzgjedhur Manaj dhe Sunday Adetunji i Ballkanit.
Ashtu si pritej, Drita e Gjilanit është shpallur klubi më i mirë i vitit. Kampionia në fuqi ka pasur kampanjë historike në Ligën e Konferencës. Tashmë është kualifikuar për fazën nokaut. Dritës i takoi edhe çmimi për klubin më korrekt.
Zekirija Ramadani i Dritës është trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë.
“Është hera e katërt që zgjidhem trajner i vitit në Kosovë. E falënderoj kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, për ndihmën që na ka dhënë. Unë mundohem t’i bëj futbollistët më të mirë, por ata më bëjnë trajnerin më të mirë. Të gjithë ata më kanë mundësuar që për herë të katërt të shpallem më i miri. Shpresoj se do të vazhdojmë t’i bëjmë të gjithë krenarë”, ka thënë Ramadani.
Gjyqtari më i mirë për vitin 2025 u shpall Alban Shala. Ai drejtoi 17 ndeshje në Superligë dhe kishte vlerësimin më të mirë. Për arritje ndërkombëtare, çmim iu nda gjyqtares së futsallit, Florentina Kallaba.
Në ceremoninë e gjatë që nisi me shumë fjalime, klubi më i mirë i futbollisteve për vitin 2025 u shpall Mitrovica. Aurora Mulliqi e këtij klubi u shpall futbollistja më e mirë e vitit, ndërsa Anisa Mehës së 2 Korrikut i takoi çmimi i shpresës së vitit.
U shpallën edhe më të mirët në futsall. Prishtina 01 është klub i vitit, ndërsa Fitim Krasniqi i këtij klubi, lojtar i vitit.
FFK-ja ka ndarë çmime edhe për “kontribut të çmuar ndër vite”. Me këtë çmim janë nderuar tre drejtues të klubeve që për kohë të gjatë janë në futbollin kosovar: Rexhep Baholli i 2 Korrikut, Nexhmedin Haxhiu i Trepçës dhe Abedin Zeka i Trepçës ’89.
Në fjalimet para se të niste ndarja e çmimeve, sukseset e futbollit kosovar në vitin 2025 janë vlerësuar shumë të mëdha. Kanë folur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ai i FSHF-së, Armand Duka, dhe ministri në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku. Puna e FFK-së është çmuar edhe nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe ai i UEFA-s, Aleksander Çeferin.