Sport

De Biasi tregon se Nuhiu e Berisha kishin refuzuar Shqipërinë

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka deklaruar se sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, kishte refuzuar disa vjet më parë që të paraqitej për kuqezinjtë.

Në emisionin “Opinion”, De Biasi ka konfirmuar edhe refuzimin e sulmuesit tjetër Besart Berisha.

Të dy këta sulmues patën paraqitjen e parë për fanellën e Kosovës në ndeshjen kualifikuese ndaj Islandës, në të cilën Nuhiu shënoi golin e parë të Kosovës nga loja e hapur.

“Është skuadër e mirë, natyrisht është e re. Kanë marrë dy lojtarë të rinj, njëri është Nuhiu. E kam ftuar në vitet e para kur erdha në Shqipëri, por nuk donte të luante për ne. E kisha kontaktuar edhe Berishën, por ai nuk pranoi. Ai nuk erdhi sepse jeton në Australi dhe për të ardhur i duheshin 2 ditë udhëtim. Sa ta merrte veten për lojë, i duhej të kthehej mbrapsht. Por tani do të luajë me Kosovën, me sa duket për Kosovën e bëri sakrificën. Mbase nuk kishte motiv të fortë të luante për ne. Ose nuk besonte në projektin që na çoi në Europian”, ka thënë De Biasi.