Ndeshja me Guinenë do të ishte sfidë e vërtetë për përfaqësuesen A të Kosovës në futboll. Guineja është përfaqësuese e respektuar afrikane, me lojtarë që luajnë në nivel të lartë dhe me suksese të lakmueshme në nivel kontinental.
Kosova me Guinenë takohet të martën nga ora 16:00 në Manavgat të Turqisë. Por selektori Bernard Challandes ka nën urdhra kryesisht lojtarë që janë kandidatë për vend në përfaqësuese. Pra, ndaj Guinesë, Kosova nuk luan me ekipin më të fortë. Nuk është asnjë prej ekipit të parë, ndërsa nën urdhrat e Challandesit janë shumë lojtarë të Superligës.
Ky grup lojtarësh për herë të parë luan së bashku dhe kjo e shqetëson Challandesin.
Ekipi më i fortë i Kosovës ditë më parë luajti me San Marinon dhe Maltën. Por Guineja dhe Gambia, me të cilën Kosova takohet më 11 qershor, janë nivel dukshëm më i lartë se San Marino e Malta.
“E kemi nisur këtë kamp stërvitor për dy ndeshjet e radhës me një ekip krejtësisht të ri. Nuk ishte aspak lehtë të gjenim lojtarët për këto ndeshje në këtë kohë. Disa lojtarë janë në pushim, disa e kanë përfunduar kampionatin para tri javësh. Kemi lojtarë me U21, kurse disa të tjerë që po përgatiten me ekipet e tyre për kupat evropiane. Nuk ishte aspak e lehtë të ndërtojmë një ekip. Por jam shumë i lumtur që lojtarët po e ndiejnë kënaqësinë që janë këtu. Kemi bërë punë të mirë, kanë treguar mentalitet të mirë. Ky ekip kurrë nuk ka luajtur së bashku, nuk është lehtë të gjendet lidhja menjëherë. Por janë lojtarë të rinj dhe jemi munduar të bëjmë më të mirën me tri stërvitje. Do të luajmë kundër dy ekipeve të forta nga Afrika. Guineja është Top 20 në Afrikë dhe ka luajtur ndeshje të mirë me Turqinë, 0:0”, ka thënë Challandes pas stërvitjes të mbajtur të hënën.
“Është kundërshtar i fortë, fizikisht, teknikisht e taktikisht. Për lojtarët tanë të rinj është një përvojë e vështirë, por ne mund të mësojmë nga situatat e tilla. Do të jetë mirë t’i shohim lojtarët në situata të tilla dhe të japim një përgjigje si ekip, sepse individualisht nuk është aspak e lehtë. Shpresoj që ekipi të luftojë, të tregohet kundërshtar i fortë. Jam paksa i frikësuar, por edhe i kënaqur. Kemi lojtarë të rinj për të ardhmen, të cilët do t’i shohim. Ju kam thënë se duhet të luajnë për ekipin dhe për të ardhmen e tyre. Do të ketë shumë skautë këtu dhe ndoshta mund ta shohin një lojtar nga Kosova. Pishman jam vetëm për kohën, sepse ishte e vështirë të gjenden lojtarët në formë fizike menjëherë pas pushimeve. Ndeshjet e forta fizike mund të jenë të rrezikshme, por ne jemi munduar të bëjmë përgatitjet e duhura për këto dy ndeshje. Besoj se jemi të gatshëm dhe këtë do ta tregojmë në fushë”, ka shtuar Challandes.
Guineja për kapiten e ka Naby Keitan e Liverpoolit. Por ai nuk është i grumbulluar për ndeshjet në Turqi. Në Guine, ndikimi i Francës është shumë i madh, duke përfshirë edhe futbollin. Shumë lojtarë të Guinesë luajnë në nivele të ndryshme të futbollit francez. Por ka edhe në vende të tjera evropiane. Guineja më 31 maj luajti pa gola me Turqinë. Më 5 qershor u mposht 2:0 nga Togo. Do të luajë edhe me Nigerin më 11 qershor.
Guineja është kualifikuar në Kupën e Afrikës, që mbahet në janar të vitit të ardhshëm. Në këtë ngjarje kontinentale, të barabartë me Evropianin, luan thuajse rregullisht. Në vitin 2019 ishte ndalur në 1/8 e finales. Në çerekfinale ishte në vitin 2015. Suksesin më të madh e kishte arritur në vitin 1976 kur preku finalen.